OEK: Nuk ka stabilitet politik, pa stabilitet ekonomik

Prishtinë, 8 maj 2005 – Kryesori nga standardet është i pesti, që ka të bëjë me lëmin e ekonomisë, ka deklaruar për RTK–në Safet Gerxhaliu, shef i zyrës për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare në Odën Ekonomike të Kosovës. Oda Ekonomike për javën e ardhshme ka përgatitur disa aktivitete të rëndësishme, në mesin e të cilave edhe nënshkrimin e marrëveshjeve bashkëpunimi me partnerët bullgarë.

Situatën ekonomike në vendin tonë, Gërxhaliu e konsideron tejet konfuze dhe kërkon më shumë angazhim nga institucionet për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik “Në Kosovë të gjithë bisedojnë për standarde dhe merren me standarde kurse gjëja esenciale e këtyre standardeve është mu standardi i pestë, apo standardi që ka të bëjë me lëmin e ekonomisë dhe në fund të fundit është e pamundur të kemi një stabilitet politik pa një stabilitet ekonomik“, thotë ai. Ndryshe, OEK ka vendosur që të martën të prezantojë prodhimin e njehësorëve elektronik, prodhim vendor.”Kjo është një mundësi shumë e mirë që në mënyrë pak më institucionale të bëhet përkrahja e komunitetit të biznesit e në veçanti mund të theksojmë nevojën për promovim të produkteve vendore…”, tha Gërxhaliu. Në prezantim, përveç zyrtarëve nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, zyrtarëve nga ministria e Energjetikës, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të zyrave të huaja në Kosovë, që më afër të njihen me prodhimet Made in Kosova, njoftoi Gërxhaliu. Kurse një ditë më pas, Oda Ekonomike në bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës bën prezantimin e programeve “Masters of Bussiness Administration”. Të mërkurën, prijësit e Odës Ekonomike do të udhëtojnë për në Plovdiv të Bullgarisë për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Atje do të udhëtojnë edhe një grup afaristësh, për të vënë kontakte biznesi si dhe për të vizituar të arriturat në panairin “Plovdivi 2005”.

ECIKS / RTKLive