Prishtinë: Konsumatorët 14 milionë euro borxh ujësjellësit

Prishtinë, 16 korrik 2004 – Drejtuesit e Ujësjellësit rajonal Prishtina thonë se reduktimet e ujit do të vazhdojnë gjatë tërë verës dhe njoftuan për keqpërdorime të mëdha të ujit të pijes, si dhe për borxhet e mëdha që i kanë konsumatorët ndaj ndërmarrjes. Rreth 14 milionë euro është shuma e borxhit që qytetarët e Prishtinës me rrethinë duhet të paguajnë për shpenzimin e ujit, bëri të ditur në një konferencë për gazetarë Çaush Bajrushi, drejtor i Ujësjellësit rajonal “Prishtina”.

Duke folur për keqpërdorimet, moskryerjen e obligimeve dhe kyçjet ilegale në sisteme të ujitjes, Bajrushi bëri të ditur se afro 10 fshatra në rajonin e Prishtinës kanë 24 orë ujë pa reduktime dhe ato e përdorin ujin e pijes për ujitje të tokës, mu sikur edhe lavazhet, ndërkaq qytetarët që jetojnë në banesa nuk keqpërdorin ujin, tha ai.

ECIKS / QIK