Durrës: 50 milionë dollarë investime në port

Durrës, 16 korrik 2004 – Investimet që po realizohen janë bërë nga Banka Botërore dhe nga investitorë të tjerë. Realizimi i tyre synon rritjen e përballimit të fluksit të pasagjerëve dhe ngarkesave.

Deri tani në portin e Durrësit po realizohen projekte që kapin shifrën e 50 milionë dollarëve. Këto investime janë bërë kryesisht nga Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe investitorë të tjerë. Sipas drejtorit të portit të Durrësit ,Sokol Limani, me investimet që po realizohen dhe që do të realizohen është parashikuar që porti i Durrësit të përballojë flukse ngarkesash dhe nga 67 vende të botës. “Të gjitha investimet për portin kanë si objektiv themelor modernizimin e tij. Një gjë e tillë do të shoqërohet me rritjen e volumit të përpunimit, përmirësimin e shërbimeve, etj. Rezultatet e këtyre investimeve kanë filluar që të jenë të ndjeshme në rritjen e volumit të përpunimit të mallrave si dhe në rritjen e numrit të pasagjerëve nga viti në vit”.

Korridori i 8-të
Investimet në kuadër të Korridorit të 8-të, sipas Limanit, kanë rëndësi të veçantë për faktin se porti i Durrësit ndodhet në mesin e qendrës industriale të Shqipërisë dhe lidhet mirë me hekurudhat më të rëndësishme që shkojnë në brendësi të territorit të vendit. Po sipas tij, nga studimet e bëra nga kompani amerikane, Korridori i 8-të konsiderohet si një urë tokësore që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Sipas këtyre studimeve, është arritur në konkluzionin se kalimi nga porti i Durrësit kursen rreth 3 ditë kohë transport, ose rreth 700 dollarë për çdo njësi kontienerike, referuar këtu çdo porti tjetër të rajonit përfshi dhe Selanikun. Po sipas Limanit, një faktor tjetër shumë i rëndësishëm për biznesin vendës dhe të huaj është dhe fakti se po punohet që brenda 6-mujorit të dytë 2004 të përfundojë organizimi i forcës së sigurisë portuale, si kusht i kërkesave të vëna nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe kodit ISPS për sigurinë në porte.

Statistika
Duke iu referuar zyrës së statistikave në portin detar të Durrësit, rezulton se në 6-mujorin e parë të vitit janë importuar rreth 1.2 milionë tonë mallra, nga rreth 1 milion tonë të importuara në vitin 2003. Janë eksportuar 15 527 tonë mallra, nga 82 880 tonë të eksportuara në vitin 2003. Ndër mallrat kryesore të përpunuara nga importi, evidentohen produkte ushqimore, çimento rifuxho SEAM, etj.

ECIKS / Biznesi