Prishtina dhe Beogradi diskuan për ekonominë

Prishtinë, 1 qershor 2006 – Takimi i gjashtë në Vjenë mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në 9:30, të ditës së djeshme. Edhe kësaj radhe, delegacionet kanë ardhur me qëndrime të kundërta. Më të hyrë në bisedime përfaqësuesi i delegacionit nga Kosova, Skender Hyseni, ka thënë se do të bisedohet për borxhet, demet e luftës dhe çështje tjera. Qëndrimi i palës kosovare sa i përket borxheve është se Kosova do të paguaj borxhet që ka marrë nga institucionet ndërkombëtare deri në vitin ‘90 nëse dihet se ku janë investuar ato para.

Kosova nuk është e gatshme të paguajë kreditë ndërkombëtare që Serbia ka marrë gjatë viteve 90-99 sepse sipas kosovarëve këto para mund të jenë përdorur për luftërat në ish-jugosllavi si dhe kosovarët nuk kanë përfituar asgjë nga këto kredi.

Temë e nxehtë në Vjenë pritej të jetë edhe pagesa e dëmeve të luftës. Shqiptarët thane se do të këmbëngulin që të paguhen dëmet e shkaktuara nga lufta që përfshijnë miliona euro.

Serbët kishin kërkesa më shumë për procesin e privatizimit në Kosovë. Dejan Popoviq, rektor i Universitetit të Beogradit tha para gazetarëve se Serbinë nuk e pyet askush për procesin e privatizimit.

Për dallim nga takimet tjera kësaj radhe delegacionet kanë një përfaqësim më të gjerë. Delegacioni nga Kosova ka 18 anëtarë, duke përfshirë ekspertë, këshilltarë dhe anëtarë të delegacionit.

Bisedimet u udhëhoqen nga Albert Rohan dhe përfaqësuesi I BE-së për çështje të Kosovës Shtefan Lehne. Në takim po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Agjencitë serbe njoftojnë se Alber Rohan ka refuzuar propozimin serb që në Vjenë të diskutohet për procesin e privatizimin në Kosovë.

ECIKS / RTK