Prishtinë, 31 mars 2006 – Reinhard Priebe, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian tha të mërkurën në Prishtinë se krahasuar me katër vitet e mëparshme, ekziston një përparim i madh në Kosovë dhe se institucionet kosovare (IPVQ), në bazë të kompetencave shtesë, kanë ngritur kapacitet e tyre duke kryer më shumë punë, në krahasim me administratën ndërkombëtare.
Këto komente Priebe i bëri gjatë një takimi me gazetarë, pas konferencës së nëntë të Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, i cili për herë të parë është bashkëkryesuar nga kryeministri Agim Çeku.
Priebe tha se takimi i sotëm nuk ishte takim ku merren vendime të madha politike por është takim ku jepen detyra konkrete. “Jam shumë i lumtur të shoh se Qeveria ka një vetëdije të lartë se çfarë duhet të bëjë, drejt perspektivës evropiane dhe cilat janë standardet të cilat nevojiten për zgjidhjen e statusit”, tha Priebe.
“Te kabineti i qeverisë së re kemi parë një përkushtim të qartë dhe ka një politikë të fokusuar në ekonomi dhe strategjinë e saj, që është çështje shumë me rëndësi”, tha Priebe, i cili shtoi se nuk ka ndonjë strategji të veçantë për integrimin e Kosovës në BE, ngase strategjia është e njëjtë për tërë rajonin, dhe se ajo është perspektiva evropiane.
ECIKS / KosovaLive