Prezantohet masterplani për Brezovicën e re

Zyra e BE-së në Kosovë e prezantoi masterplanin, i cili do të shërbejë si plan për zhvillimin e një qendre turistike që do të funksionojë gjatë tërë vitit në Brezovicë. Plani për ringjalljen e Brezovicës parasheh zhvillimin e një qendre turistike malore në zonën perëndimore afër qendrës ekzistuese të skijimit.

“Brezovica ka treguar sukses dhe potencial të padiskutueshëm edhe në të kaluarën dhe zhvillimi i saj sipas standardeve moderne paraqet një prej mundësive më të mira në këtë rajon për krijimin e të ardhurave, vendeve të punës dhe për zhvillim. Për ketë qëllim BE-ja ka mbështetur komunën dhe Qeverinë e Kosovës në hartimin e Masterplanit për zhvillimin e Brezovicës”, tha shefi i Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Qendra e re, që do të funksionojë gjatë tërë vitit, do të ketë kapacitet për të pritur mbi 10 mijë mysafirë dhe do të ketë një qendër me vende akomodimi, restorante dhe pasuri të paluajtshme.

Plani ka për qëllim që ta bëjë Brezovicën atraktive për investime duke ruajtur në të njëjtën kohë mjedisin e saj natyror.

Qeveria e Kosovës pritet të organizojë një konferencë ndërkombëtare të donatorëve gjatë vitit 2012 për të tërhequr investime potenciale nga sektori publik dhe privat.

/Koha/