Premtohen subvencione për fermerët kosovarë

Edhe pse në fushatat paraelektorale të partive të ndryshme e që sot janë në pushtet, qenë dhënë premtime të shumta sa i përket zhvillimit të sektorit të bujqësisë, gjendja mbetet alarmante. Fermerët edhe më tutje përballen me vështirësi të shumta.

Hasan Beqës asnjëherë nuk i ka shkuar mendja që do të braktisë punën e tij prej blegtori, por këtë vit ka menduar seriozisht që ta braktisë këtë punë, pasi që nuk ka kurrfarë përfitimi material. Ai shprehet i zhgënjyer me Qeverinë, pasi që ajo nuk po e subvencion atë, bile një pjesë të shpenzimeve për derivate.

Hasani mendon se institucionet e Kosovës duhet që ta trajtojnë më seriozisht këtë punë, pasi që në të ardhmen mund të ketë pasoja për gjithë shoqërinë dhe prodhimet bujqësore.

“Do të isha shumë i lumtur sikur Qeveria e Kosovës do të më ndihmojë në derivate deri në 30 apo 40 %, pasi që kjo do të jetë një ndihmesë solide për ne që merremi me bujqësi”, shprehet Beqaj.

Ai ka shumë vite që merret me bujqësi në vendin e tij të lindjes, në Dukagjin. Bujku Beqaj është duke punuar me një fitim minimal, i cili nuk ia përmbush as kërkesat minimale për prosperimin e profesionit të tij.

“S’ka kurrfarë llogarie të punosh me bujqësi, nuk ka ndihma, të cilat janë të mirëseardhura për ne dhe për mbijetesën e punës sonë, shpresoj që në vitin e ardhshëm të ketë subvencionime për ne, në të kundërtën ne do të kapitullojmë”, shprehet ai.
Qeveria e Kosovës, për herë të parë, gjatë fushatës së korrje-shirjeve, në vitin që lamë pas, ka subvencionuar kombajnerët me 30 % të derivateve të çmimit për korrje-shirjet, gjë që ndikoi edhe në zbritjen e çmimeve për korrjen e grurit.
Edhe Ilmi Bisha, i cili ka disa gjedhe, pohon se është duke u përballuar me vështirësi të shumta, pasi që edhe ushqimi i kafshëve kushton shumë shtrenjtë. ”Ne duhet që të bëjmë diçka që ta ndryshojmë këtë gjë, në të kundërtën do të mund të përballemi më mbyllje të veprimtarisë. Unë personalisht merrem me këtë punë që një kohë të gjatë, por në kohët e fundit nuk po ka shumë leverdi edhe për shumë faktorë, shpresoj që të bëjmë ndonjë ndryshim, i cili do të jetë i favorshëm për ne”, shprehet ai.

MBPZHR, 12 milionë më shumë buxhet
Frymëzim Isufaj, këshilltar për çështje ekonomike i ministrit të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, pohon se Ministria e Bujqësisë është duke punuar që të ketë progres në bujqësi, duke i marrë parasysh edhe rrjedhat aktuale të zhvillimit në përgjithësi.
Isufaj përmend faktin se në vitin e ardhshëm, bujqësisë do t’i rritet buxheti për 12 milionë euro, i cili buxhet do të shkojë edhe për subvencionim.

“Ne jemi duke punuar me të gjithë që bujqësia në Kosovë të zhvillohet krahas zhvillimeve të përgjithshme në vend. Ne jemi të bindur që Qeveria e Kosovës do të përkrahë fermerët tanë, të cilët po kalojnë vështirësi të mëdha”, potencoi ai.
Këshilltari Isufaj pohon se iniciativat dhe idetë për subvencionim kanë filluar këtë vit. “Ne kemi filluar që të subvencionojmë, si p.sh. kombajnerët”, potencon ai.

Në vitet e fundit, edhe disa banka në Kosovë, kanë filluar që të japin kredi të ndryshme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, por kreditë për bujqësi përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të totalit të kredive.

Fermerët ankohen për kamata
Fermerët shprehen se kamatat janë shumë të larta për bujqësi dhe kushtet e kreditimit janë të pavolitshme për ta.
Fermerët kosovarë, më parë patën paralajmëruar protesta në Kosovë, pasi që nuk kanë llogari për ta prodhuar produktet e tyre, për shkak të konkurrencës joluajale në tregun kosovar. Shoqata e Qumështorëve të Kosovës kërkoi nga institucionet e Kosovës që të bëhet rivlerësimi i bazës doganore për qumësht, zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, lirimi nga TVSH-ja etj.
Por këshilltari Isufaj pohon se ne jemi nënshkrues të CEFTA-s dhe duhet që t’iu përmbahemi kritereve të kësaj marrëveshjeje.
Fermerët thonë se tre muajt e verës janë më të rëndë për industrinë e qumështit. Sipas tyre, kjo ndodh se ka shpërputhje në mes së sasisë së qumështit që prodhohet dhe sasisë së atij që konsumohet.

Në shumë vende të Evropës bujqësia është e subvencionuar në bazë të kapitalit që posedojnë fermerët. Subvencionimi i fermerëve ka filluar edhe në disa vende të rajonit, si në Maqedoni, Kroaci, Slloveni, Greqi etj. Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë ishte qendër e zhvillimit të bujqësisë.

Kosova Sot