Porti i Shëngjinit tërheqës edhe për investime të huaja në Kosovë

“Bllokada e eksporteve kosovare nga Serbia apo mbyllja e rrugës Prishtinë-Shkup, si pasojë e shembjeve të dheut më 2006, tregojnë se alternativat e këtilla janë të rëndësisë jetike për vendin”, ka vlerësuar Kujtim Dobruna nga ECIKS.

PRISHTINË, TIRANË, 22 Shkurt 2009 – Riaktualizimi i mundësisë që Kosova ta marrë në shfrytëzim Portin shqiptar të Shëngjinit është mirëpritur nga importuesit kosovarë të prodhimeve të ndryshme.

Për importuesin e kafesë, Ismeti Bojkun, kërkesa e bërë nga Qeveria e Kosovës ka sjellë një shpresë të madhe se fitimi i tij do të jetë më i madh dhe më i lehtë. Duke pohuar se për importin e kafesë ai shfrytëzon portet e Selanikut dhe të Tivarit, Bojku thotë se hapja e Portit të Shëngjinit do t’ia lehtësojë pa masë zhvillimin e biznesit.

“Kafja të cilën e marr në Itali vjen përmes porteve detare, edhe produktet e tjera që i importoj nga Belgjika, Holanda, Greqia, po ashtu i marr përmes porteve në mënyrë që të mos paguaj taksa rrugore nëpër shtete të Evropës. Me hapjen e Portit të Shëngjinit do të përfitojmë tepër shumë”, thotë ai.

Ngjashëm janë gëzuar edhe importuesit e karburanteve, që po ashtu shfrytëzojnë portet detare. Nazmi Bytyçi nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës thotë se nëse hapet Porti i Shëngjinit për Kosovën, atëherë anijet duhet të vijnë me ngarkesë më të madhe, e cila do ta lehtësojë shumë çështjen e importit.

“Për hapjen e Portit të Shëngjinit dhe hapja e rrugës Durrës – Kukës nuk ka fjalë të mjaftueshme se sa do të na e lehtësojnë zhvillimin e biznesit dhe rritjen ekonomike të Kosovës”, thotë Bytyçi. “Ne e shfrytëzojmë transportin detar dhe Shëngjini do të ishte një shpëtim“, shton ai.

Përparësitë që do t’i ketë Kosova me qasjen direkte në det, i vlerëson lart edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, sipas të cilit oferta e shtetit shqiptar për dalje të Kosovës në det duhet vlerësuar si ofertë jo vetëm me leverdi të madhe ekonomike të të dy vendeve.

“Hapja e Portit të Shëngjinit dhe autostrada Durrës- Kukës do të rrisin aftësitë konkurruese të bizneseve kosovare dhe shqiptare në raport me vendet e tjera që nuk kanë dalje në det”, ka thënë Shahini, për të shtuar se kjo mundësi do të ndikojë sidomos tek ato biznese që importojnë mallra të ndryshme prej vendeve të largëta përmes komunikacionit detar.

“Do të ulet dukshëm kostoja në krahasim me portet e Selanikut dhe të Tivarit. Ndërsa pos uljes së kostos për shërbimet të importit, do të ulet edhe kostoja e produkteve”, ka thënë Shahini.

Porti i Shëngjinit do të tërheqë investitorë të huaj në Kosovë
Mirëpo nuk do të jenë vetëm biznesmenët kosovarë ata që do të mund të përfitojnë me hapjen e Portit të Shëngjinit, por kjo do të jetë një mundësi e madhe edhe për tërheqjen e investitorëve në Kosovë, të cilët deri tash mund të kenë ngurruar të vijnë duke e konsideruar Kosovën si vend të izoluar gjeografikisht.

Kështu kanë vlerësuar zyrtarët e Zyrës për Promovimin e Investimeve të Huaja në Kosovë me seli në Vjenë (ECIKS). Sipas tyre pa dyshim se “marrja në shfrytëzim e Portit të Shëngjinit është shumë pozitive edhe për faktin se do të bëjë Kosovën edhe më tërheqëse për investitorët e huaj”.

”Gjatë punës sonë kemi pasur raste konkrete kur investitorët e huaj kanë hezituar të përcaktohen për Kosovën, mu për arsyen se e konsideronin si vend të mbyllur, pra që nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në rrugë më të lira të transportit siç janë ato detare”, ka thënë udhëheqësi i ECIKS, Kujtim Dobruna.

Ai ka shtuar se gjithashtu hulumtime të ndryshme tregojnë se pozita gjeografike e një vendi dhe afërsia ndaj tregjeve dhe konsumatorëve luajnë një rol të veçantë në përcaktimin e investitorëve për një lokacion investiv. Sipas tij, duke shfrytëzuar autostradën Durrës-Morinë dhe Portin e Shëngjinit pozita tregtare, gjeostrategjike dhe klima invesuese në vend do të përmirësohen dukshëm.

“Bllokada e eksporteve kosovare nga Serbia apo mbyllja e rrugës Prishtinë-Shkup, si pasojë e shembjeve të dheut më 2006, tregojnë se alternativat e këtilla janë të rëndësisë jetike për vendin”, vlerëson Dobruna.

Qeveria e Shqipërisë e gatshme t’ia dorëzojë portin detar Kosovës
Edhe Selami Xhepa, këshilltar ekonomik i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, thotë se përdorimi i Portit të Shëngjinit nga agjentët ekonomikë të Kosovës do të kishte një ndikim të madh në riorientimin e tregtisë së Kosovës me pjesën tjetër të botës, duke krijuar kështu rrugë të reja tregtare.

“Nga ana tjetër kjo do të ndikonte ndjeshëm në uljen e kostove të transaksionit duke inkurajuar kështu më shumë investime e tregti në Kosovë, por edhe duke rritur konkurrueshmërinë e produkteve kosovare për në tregjet shqiptare dhe ato evropiane“, ka thënë për gazetën Xhepa.

Sipas tij, zhvillimi i Portit të Shëngjinit është parë si perspektivë për zonat veriore dhe verilindore të vendit, si dhe për zgjerimin e aktivitetit tregtar me Kosovën.

“Ky port ka një gjatësi të kufizuar kalatash dhe përpunon anije mallrash me kapacitet deri 3000 tonë, po ashtu ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë ka një rëndësi të madhe për Portin e Shëngjinit, pasi do të bënte të mundur shtrirjen e shërbimeve multimodale të këtij porti në drejtim të tregut të Kosovës”, ka thënë ky zyrtar i Qeverisë së Shqipërisë. Ai ka bërë të ditur se ekspertët e transportit detar kanë bërë të ditur se ky treg ofron një rritje të numrit të konsumatorëve dhe bizneseve dhe për më tepër hap perspektiva të reja edhe të shtrirjes së Korridorit 8 me pikë fundore Portin e Durrësit dhe me drejtim të Korridorit 10, duke u bashkuar me këtë Korridor në Nish (Serbi).

“Ndërtimi i kësaj rruge do të krijonte në këtë mënyrë realitete të reja, jo vetëm për rrjetin panevropian të komunikimit, por gjithashtu dhe për Portin e Durrësit dhe për Portin verior të Shqipërisë, atë të Shëngjinit”, ka thënë Xhepa.

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës për përdorimin e portit të Shëngjinit, ka thënë ai, shkon paralel me projektet e investimeve të Qeverisë shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, posaçërisht të korridorit të madh Durrës-Prishtinë.

“Përfundimi i këtij projekti në muajin qershor kërkon dhe rritjen e infrastrukturës së porteve, për të rritur kështu edhe fitimet nga projekti i rrugës në fjalë”, ka thënë Xhepa, për të shtuar se ai beson se autoritetet shqiptare dhe vetë Parlamenti i Shqipërisë do ta marrin në konsideratë këtë kërkesë për të krijuar lehtësira të posaçme për rastin e kërkesës që ka ardhur nga Qeveria e Kosovës.

“Porti i Shëngjinit sigurisht që do të sjellë favore në zhvillimin ekonomik të shtetit të ri. Unë besoj se të gjitha projektet që ne kemi për modernizimin e infrastrukturës portuale, që nga Porti i Vlorës, ai i Durrësit do të krijojnë lehtësira të mëdha për tregtinë dhe investimet mes dy vendeve tona”, ka shtuar këshilltari për ekonomi i kryeministrit Berisha.

Të dielën për këtë çështje në Shqipëri kanë udhëtuar katër ministra të Qeverisë së Kosovës: ai i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, si edhe ajo e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka.

Arbana Xharra dhe Esmeralda Byrdhyli, Koha Ditore