As 2,1 milionë eurot e Ministrisë së Bujqësisë nuk do të ndihmojnë për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Për këto para kanë konkurruar 5.174 fermerë, që do të mbjellin 28 mijë hektarë. Për një hektar marrin nga 80 euro.
Bujqit kosovarë sivjet me gjysmë zemre kanë filluar mbjelljen e grurit. Ata nuk do ta kenë të garantuar çmimin e shitjes, do të përballen me çmime të shtrenjta të farës, plehut dhe naftës. Madje, disa prej tyre, për shkak të çmimit të ulët grumbullues prej 17 centësh, janë duke mbjellë grurë vetëm sa për ta rregulluar strukturën e tokës. Disponimin e tyre nuk do ta ndryshojë as premtimi i Ministrisë së Bujqësisë se do të ndihmohen me 2,1 milionë euro.
“Ne grurin e mbjellim më shumë për ta rregulluar strukturën e tokës”, ka thënë Selmon Shala, menaxher në kooperativën “Agro Qyshk” nga Peja.
Shala, i cili sivjet ka mbjellë vetëm 1 hektar grurë, thotë se nuk ka fitim nga kjo kulturë bujqësore. Më shumë fitojmë nga patatet e domatet. “Nga një hektar me patate marr rreth 5 mijë euro, e me grurë dhjetë herë më pak”, thotë Shala.
Fermerët më gjithë problemet kanë filluar mbjelljen e grurit, por edhe më tutje nuk premtojnë se me prodhimin tyre mund të mbulojnë kërkesat e tregut. “Jam shumë skeptik. Nuk do të ketë rritje të sipërfaqeve, e as të rendimenteve. Do të jetë situatë pothuajse e njëjtë sikur vjet”, tha Osman Mareku, fermer nga Malisheva.
Ndërkaq, sivjet në Kosovë janë prodhuar 241 mijë tonë grurë dhe janë plotësuar vetëm gjysma e nevojave. Mazreku thotë se çmimi 17 centë nuk garanton fitim. Fara, plehu dhe nafta janë shumë shtrenjtë. “Ma mirë ka fitim prej kulturave të tjera”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë këtë vit ka ndarë 5.2 milionë euro për grante dhe subvencione për fermerët. Sipas Njazi Idrizit, këshilltar i ministrit Idriz Vehapi, për fermerët që kultivojnë grurin janë ndarë 2.1 milionë euro. “Me 500 mijë euro më herët i kemi mbështetur të gjithë prodhuesit e grurit”, tha ai.
Ndërsa, për grurin që mbillet këtë vjeshtë, Ministria është në proces të projektit për mbështetjen e bujqve me para të gatshme. Për këto subvencione deri më tani kanë konkurruar 5 mijë e 174 fermerë, me një sipërfaqe prej 28 mijë hektarësh. “Do të marrin diku rreth 80 euro për hektarë”, shtoi Idrizi.
Megjithatë, nuk do të përfitojnë të gjithë ata që mbjellin grurë. Përjashtohen ata që kanë mbjellë më pak se 2 hektarë. Kjo nga këshilltari Idrizi, arsyetohet me faktin se Ministria po i mbështet vetëm fermat komerciale, pra ato që prodhojnë për treg. “Unë kam mbjellë vetëm një hektar dhe nuk kam aplikuar. Nuk kam llogari të mbjell më shumë grurë”, ka thënë Ardian Kelmendi, fermer nga Peja.
Mirëpo, dikush që plotëson kushtet për përfitime, nuk e shohin të udhës të aplikojnë, si Osman Mazreku, që me grurë ka mbjellë 60 hektarësh. “Nuk do të konkurroj fare, për shkak se edhe kjo kërkon shpenzime. Nuk ia vlen të shpenzohet për kaq pak para”, thotë Mazreku.
Projekti i Ministrisë së Bujqësisë do të përfundojë kah fillimi i dhjetorit, kur bëhet verifikimi i parcelave të mbjella. Zyrtarët e saj paralajmërojnë dënime për fermerët që mashtrojnë Ministrinë me rastin e deklarimit të sipërfaqeve të mbjella me grurë.
Gazeta Express