Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës njoftoi se ka një shtim të numrit të udhëtarëve në krahasim me vitin e kaluar.
Gjatë vitit 2009 pasagjeri 1 milionë u regjistrua më 25 tetor, ndërsa sivjet kjo shifër është arritur në muajin shtator, që nënkupton se ka rritje të numrit të udhëtarëve.
Aeroporti i Prishtinës njoftoi se gjatë vitit 2009 janë regjistruar 1.2 milionë udhëtarë, ndërsa sivjet kjo shifër pritet të arrijë në 1,3 milionë.
“Vetëm për dy vjet kemi një rritje prej gati 400 mijë udhëtarëve gjë që përbën veçanti jo vetëm për regjionin, por dhe më gjerë. E gjithë kjo u arrit në saje të punës së madhe të të gjithë punëtorëve të ANP-së, duke krijuar kushte më të mira për aviokompanitë dhe udhëtarët”, tha drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës”, Agron Mustafa.
Sipas tij, rënia e çmimit të biletave dhe përmirësimi i kualitetit të shërbimeve gjatë këtyre dy viteve ka ndikuar në rritjen e numrit të udhëtarëve.
ECIKS