Prishtinë, 8 tetor 2007 – Sistemit bankar në Kosovë tashmë i është shtuar edhe një bankë tjetër, e cila 50 për qind të kapitalit e ka francez, ndërsa 50 për qind turk.
“Teb Mali Yatirimlar” A.S., është banka më e re e cila është pajisur me licencë preliminare nga ana e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK) për të filluar operimin në vend. Në uebfaqen e internetit të AQBK-së thuhet se Bordi Drejtues i këtij institucioni, në mbledhjen e mbajtur më 25 shtator të këtij viti, ka marrë vendim që t’i aprovojë licencë preliminare “Teb Mali Yatirimlar” A.S., për të hapur një degë në Prishtinë.
Gjysma e kapitalit të kësaj banke do të jetë e “Teb Mali Yatirimlar” A.S’, ndërsa gjysma tjetër e “Paribas Bank”. Asetet e “Paribas Bank” në fundvitin e kaluar kanë qenë mbi 1 miliard e 258 milionë euro. Ndërsa depozitat në po të njëjtën periudhë kohore ishin 393 milionë euro. Sot është një ndër bankat më përfituese në eurozonë, si në të hyra, ashtu edhe në tregun kapital.
BNP “Paribas” operon në mbi 85 vende dhe ka 141 900 të punësuar, duke përfshirë 107 000 në Evropë – 56 100 në Francë, 15 100 në SHBA dhe më shumë se 5 200 në Azi.
ECIKS / Lajm