Paratë e buxhetit investohen jashtë Kosovës

Nga 900 milionë euro të investuara në BQK, gjysma e tyre janë ekskluzivisht mjete të buxhetit, të cilat pa asnjë kushtëzim nga faktorë të jashtëm, kanë mundur të investoheshin brenda tregut kosovar, e jo jashtë tij, pohojnë ekspertët. Gati gjysma tjetër janë nga mjetet të Fondit të Privatizimit, i cili me vite të tëra mbahet jashtë

PRISHTINË, 1 MARS 2009 – Banka Qendrore e Kosovës ka dërguar jashtë vendit çdo cent që Qeveria e ka investuar në këtë bankë gjatë vitit 2008.

Fjala është për shumën e mjeteve në vlerë prej hiç më pak se 900 milionë euro. Gjysma e tyre janë ekskluzivisht mjete të buxhetit, të cilat pa asnjë kushtëzim nga faktorë të jashtëm, kanë mundur të investoheshin brenda tregut kosovar, e jo jashtë tij.

Kurse, gati gjysma tjetër janë nga mjetet e Fondit të Privatizimit, i cili me vite të tëra mbahet jashtë. Investimi i mjeteve të buxhetit prej rreth 500 milionë eurosh jashtë vendit, është kritikuar ashpër nga ekspertë të ekonomisë, kurse palët e përfshira në këtë proces, Qeveria dhe BQK-ja, nuk e komentojnë atë fare.

Në BQK e kanë pranuar se “vlera e përgjithshme e mjeteve të investuara në BQK, përfshirë mjetet e Qeverisë dhe ato të Fondit të Privatizimit, përbën shumën prej rreth 900 milionë eurosh”, duke pohuar se këto mjete “po mbahen nëpër bankat e huaja me renome të lartë”. Ndërsa, as Qeveria dhe as BQK-ja nuk kanë dashur të bënin publike shifrën e saktë se sa para të buxhetit janë investuar gjatë 2008-s dhe as vlerën e kthimit të interesit nga ky lloj investimi.

Burime të “Kohës Ditore” thonë se investimi i mjeteve të buxhetit jashtë vendit, pa u bërë publike shumat e sakta dhe as vlerat e sakta të kthimit të investimeve, tregojnë majën e keqpërdorimit të parasë publike në institucionet e Kosovës.

Qeveria dhe BQK-ja nuk janë shprehur të gatshme që të thonë për gazetën shifrën e saktë se sa para të buxhetit janë investuar gjatë vitit të kaluar në BQK. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave janë arsyetuar se nuk dihet shifra e saktë e mjeteve të buxhetit që janë investuar vjet në BQK dhe as kthimi i saktë i këtyre investimeve, meqë ajo ka ndryshuar nga muaji në muaj.

“Nuk e dimë shumën e saktë të investimit të mjeteve të buxhetit dhe as kthimin total të interesit nga to, meqë shumat e investuara dhe koha e investimit të tyre kanë ndryshuar nga muaji në muaj. Varësisht se sa mjete kanë qenë në buxhet”, ka deklaruar zëdhënësi i MEF-it, Muharrem Shahini.

As Besnik Kada, zyrtar për marrëdhënie me media në BQK, nuk e ka përmendur shumën e saktë të mjeteve të buxhetit që Qeveria i ka investuar aty. Ai vetëm ka pohuar se “vlera e përgjithshme e mjeteve të investuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përfshirë mjetet e Qeverisë si dhe mjetet e Fondit të Privatizimit, përbën shumën prej rreth 900 milionë euro”.

Kada ka konfirmuar se “përveç mjeteve të Fondit të Privatizimit, MEF-i është ndër depozituesit më të mëdhenj të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, zyrtarisht nga AKP-ja është thënë se shuma totale e mjeteve në Fondin e Privatizimit është rreth 400 milionë euro. Bazuar në këtë të dhënë, shihet se pjesa tjetër e mjeteve të investuara në BQK, prej rreth 500 milionë eurosh janë mjete të buxhetit.

Të pyetur se ku shkojnë paratë e kthimit të investimeve, përgjigjja e përgjithshme e të dy palëve është se “ato hyjnë në buxhet si të hyra nga interesi”, vlera e të cilave nuk është bërë publike.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se vlera e këtyre të hyrave do të dihet, vetëm pasi të jetë bërë publik raporti i të hyrave dhe i shpenzimeve për vitin 2008, i cili nuk do të jetë gati para muajit prill.

Kurse, ata të BQK-së as nuk e përmendin fare se kur pritet të publikohen këto shifra. I pyetur se sa ka qenë norma e interesit për këto 900 milionë euro mjete të Fondit të privatizimit dhe të buxhetit, së bashku gjatë gjithë vitit, Kada ka pohuar se “norma e interesit ka lëvizur në raport me zhvillimet e tregut financiar”.

Sipas tij, gjatë gjithë periudhës së menaxhimit të mjeteve BQK-ja ka realizuar kthime nga mjetet e investuara. Kada është shprehur se krejt këto mjete së bashku “janë të investuara në Bankat e shteteve anëtare të BE-së, dhe bëhet fjalë për banka të ranguara, sipas agjencive ndërkombëtare, si banka me kredibilitet të lartë”.

Ekspertët ankohen

Në anën tjetër, asnjëra palë nuk e ka komentuar se përse mjetet e buxhetit të Kosovës investohet jashtë vendit, e jo në tregun e brendshëm. I pyetur se ku janë investuar paratë e buxhetit të depozituara në BQK, zëvendësministri i MEFit, Bedri Hamza, ka thënë shkurt:

“Pyeteni Bankën Qendrore se ku janë investuar këto mjete”. Ai nuk ka dashur të komentonte më shumë këtë çështje, ndonëse në nenin 8 të Ligjit mbi menaxhimin e financave publike thuhet qartë se “Departamenti i Thesarit e ka autorizimin dhe përgjegjësinë ekskluzive për investimin e parave publike. Por, pavarësisht nga kjo, ministri përcakton kushtet për investimin e parave publike dhe aktivitetet e investimeve të Thesarit dhe përgatit politikën për investimin e parave publike”.

Lumir Abdixhiku, hulumtues dhe menaxher në institutin për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, ka pohuar se nuk ka asnjë argument të arsyeshëm se pse paratë e buxhetit të Kosovës duhet të qëndrojnë jashtë vendit.

“Në këtë kohë të krizës globale financiare, mendoj se jemi ndoshta vendi i vetëm që edhe më tutje largojmë paratë e taksapaguesve drejt vendeve të huaja, në vend se të bëjmë përpjekje që t’i kthejmë ato”, është shprehur ai.

Arsyetimet e deritanishme se Kosova është vend i pasigurt për mbajtjen e kapitalit, se nuk ka sistem ë zhvilluar bankar dhe se nuk ka kapacitete alokuese janë të tejkaluara dhe të paqëndrueshme. Sot Kosova, bizneset dhe qytetarët kanë më shumë se kurrë nevojë për rritje të ofertës monetare, ka tërhequr vërejtjen Abdixhiku.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës me autorizimet dhe të drejtat që kanë duhet që sa më parë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për kthimin e mjeteve në tregun kosovar, e jo t’i largojnë ato nga vendi.

“Mendoj se kthimi i mjeteve do të ishte një infuzion për ekonominë kosovare në këto kohë të vështira globale. Ato fonde institucionet vendimmarrëse mund t’i përdorin si stimulim për zhvillimin e bizneseve në sektorët që me të vërtetë kanë nevojë. Një ide që gjen konsensus tek analistët ekonomikë është se një pjesë e këtyre fondeve nëpërmjet linjave të veçanta kreditore mund t’iu huazohet bizneseve me kushte mjaft të volitshme kreditore. Mjetet e huazuara do të shërbenin si katalizatorë të zhvillimit dhe rritjes së bizneseve duke ndihmuar kështu zbutjen e rëndë të papunësisë në vend”, ka thënë ai.

Goditje ekonomisë së vendit

Abdixhiku ka nënvizuar se “fondet e kosovarëve duhet të jenë në shërbim të tyre e jo të tregjeve ndërkombëtare”. Sipas tij, praktika e nxjerrjes së parave nga tregu kosovar dhe dërgimi i tyre në fonde kinse më të sigurta është goditje e rëndë për ekonominë e vendit dhe kjo praktikë duhet të ketë një fund.

Kurse, në BQK thonë se depozitimi i mjete të buxhetit bëhet bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike. Zyrtari Kada ka thënë se për Fondin Rezervë të Mirëbesimit për Shërbimin e Borxheve ekziston një marrëveshje që nga data 17 korrik 2008, midis Qeverisë dhe BQK-së. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, BQK-ja administron këto fonde. Fondi Rezervë i Mirëbesimit për Shërbimin e Borxheve investohet në instrumente financiare, të cilat janë në pajtim me politikën e investimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Bazuar në Ligjin mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, nr.03/L-074, neni 6, ajo është e autorizuar të veprojë si agjent fiskal i MEF-it bazuar në Ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, nr. 03/L-048, neni 7, BQK-ja është e autorizuar të investojë mjetet e qeverisë”, ka thënë Kada.

Sipas tij, kjo formë e investimeve financiare mundëson kthimin në investime dhe krijimin e mjeteve të paguara nga interesi, të cilat mjete pastaj derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.

SALIE GAJTANI-OSMANKAQ / KOHA DITORE