Një vit më parë në shkurt të vitit 2005, kompania daneze “Integra” ka bërë evalvimin e vendeve të punës në Aeroportin e Prishtinës. “Nga raporti i kësaj kompanie ka dalë se 200 punëtorë janë tepricë në Aeroportin e Prishtinës”, tha burimi i KD-së
Arbana Xharra
Punëtorët e Aeroportit të Prishtinës janë në panik se kush prej tyre do të largohet nga puna. Ata janë njoftuar se në aeroport do të ketë reduktim të numrit të të punësuarve për 200 veta prej 630 sa janë momentalisht. Drejtori i përgjithshëm James Johnson, këto ditë i ka urdhëruar të gjithë menaxherët e divizioneve që të bëjnë vlerësimin e punëtorëve të tyre.
Zëdhënësi i Aeroportit, Skender Bucolli, tha se largimi i 200 punëtorëve ende nuk është i konfirmuar zyrtarisht, por ai nuk mohoi se do të ketë largime nga puna.
“Pasi që Qeveria dhe organet tjera kanë kërkuar që të bëhet reduktimi i stafit të Aeroportit, drejtori Johnson, ka kërkuar nga menaxherët që të bëjnë sistemimin e punëtorëve deri në atë masë sa që të mos ndikojë në uljen e nivelit të shërbimeve të aeroportit”, tha zëdhënësi Bucolli për “Kohën ditore”.
Burime të KD-së në Aeroport bëjnë të ditur se largimi i punëtorëve në këtë ndërmarrje publike nuk do të bëhet përnjëherë. “Në prill mund të ketë largim të rreth 40 punëtorëve, pastaj në shtator dhe në fund të vitit”, tha ky burim për të shtuar se do të largohen rreth 200 veta.
Një vit më parë, në shkurt të vitit 2005, kompania daneze “Integra” ka bërë evalvimin e vendeve të punës në Aeroportin e Prishtinës. “Nga raporti i kësaj kompanie ka dalë se 200 punëtorë janë tepricë në Aeroportin e Prishtinës”, tha burimi i KD-së.
Ndërkohë që mësohet se këto ditë në aeroport është një frikë e madhe ndër punëtorë se kur do të njoftohen për largimin nga puna.
Kryetari i Sindikatës së shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror, Petrit Mehmeti, bëri të ditur se pas këtij alarmimi janë takuar me drejtorin e përgjithshëm. “Jemi takuar më drejtorin gjeneral dhe kemi shprehur shqetësimin për këtë çështje, ai është pajtuar me ne se mbipunësimi është përgjegjësi e menaxhmentit dhe jo e punëtorëve”, tha Mehmeti.
Ai tha se si sindikatë do t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve, “ky është misioni ynë, por ne konsiderojmë se për të gjithë këtë kaos nuk janë fajtor punëtorët por menaxhmenti duhet të merret me këtë, ata janë përgjegjës”.
Burimi i KD-së tha se sektorët të cilët do të preken më së shumti nga largimi i punëtorëve janë: shërbimi i pastrimit, sigurimit, mirëmbajtjes, shërbimi i zjarrfikësve dhe shërbimet tjera.
Pagat, mbi 30 për qind e të hyrave
Një e treta e të hyrave në Aeroportin e Prishtinës harxhohen për paga. Nga 18 milionë euro, 6 milionë janë paga për punëtorët. Në vitin 2002 kanë qenë të punësuar 231 punëtorë, në 2003 janë punësuar edhe 156, kurse në vitin 2004 numri i të punësuarve ka arritur 609.
Numri i pasagjerëve në vitin 2004 është rritur për 9.07 në krahasim me vitin 2002.
(Marrë nga Koha Ditore)