Opozita kërkon uljen e çmimeve

Tiranë, 26, prill 2004 – Opozita në Shqipëri ka propozuar uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të telefonisë fikse në nivelin ku ishin përpara ngritjes disa muaj më parë.

Megjithatë, propozimi i opozitës nuk kaloi në komisionin e ekonomisë të Kuvendit, ku deputetët e shumicës socialiste thanë se kuvendi nuk mund të caktojë çmimet ndërsa vendi ka 14 vjet që ka hyrë në ekonominë e tregut.

Deputeti i Partisë Demorkatike të opozitës, Ridvan Bode, tha për BBC-në se propozimi i tyre vjen si reagim pas kundërshtimit të gjerë të qytetarëve ndaj asaj që ai e quajti “rritje arbitrare, e njëanshme, e paargumentuar e çmimeve të telefonisë fikse dhe të energjisë elektrike”.

Zoti Bode tha se kompanitë e energjisë dhe telefonisë ishin ende monopole shtetërore, prandaj edhe qeveria ka mundur të ndërhyjë për ndryshimin e çmimeve.

“Nëpërmjet rritjes së çmimeve qeveria synon të kapërcejë situatën e vështirë në të dy këta sektorë për shkak të menaxhimit të keq të dy ndërmarrjeve publike, nivelit të lartë të korrupsionit,” tha ai.

Socialistët kundër
Por deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe tha për BBC-në se çmimet vendosen nga tregu dhe kuvendi nuk mund të ndërhyjë.

“Shqipëria ka pranuar ekonominë e tregut dhe kemi vendosur rregulla të qarta duke treguar se si dhe kush i vendos çmimet në treg, pavarësisht se kemi të bëjmë me dy shoqëri që kanë pothuajse monopolin,” tha zoti Braçe për BBC-në.

“Është liberalizuar çmimi i energjisë elektrike deri në një kufi dhe natyrisht që qeveria para një jave mori vendim për të indeksuar me normën e inflacionit pikërisht këtë efekt që është krijuar në shportën e mallrave që ndikojnë në inflacion,” tha ai.

Deputti socialist thotë se do të ishte “një gabim i rëndë kushtetues” dhe “do të cënohej një nga parimet themelore të ekonomisë së tregut” nëse ndërhyhej në çmimet.

ECIKS / BBC