OKB mbështet ekonominë shqiptare

Tiranë, 2 nëntor 2004 – Shqipëria do të ketë mbështetje të mëtejshme në zhvillimin ekonomik e social pas anëtarësimit të para pak ditëve në Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC). Në një konferencë për shtyp, ministri shqiptar i Ekonomisë dhe ai Punëve të Jashtme kanë bërë të ditur se me anëtarësimin e Shqipërisë në këtë organ, do të ketë mbështetje të madhe ndaj politikave të zhvillimit ekonomik, punësimit dhe programeve sociale. Shqipëria u pranua si anëtar i Këshillit Ekonomik e Social të OKB-së ditët e fundit të muajit që sapo lamë pas dhe do të jetë anëtar për dy vjet me radhë, duke nisur që janarin që vjen.

Këshilli Ekonomik e Social përbëhet nga 54 vende që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara. Në të miratohen të gjitha fondet në dispozicion të Kombeve të Bashkuara që nevojiten për financimin e projekteve në fushën ekonomike, sociale, kulturore dhe në fusha të tjera. “Ky organ është përgjegjës për inicimin dhe mbeshtetjen e politikave dhe programeve e standardeve të jetesës, punësimin, zhvillimin ekonomik e social dhe koordinimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën ekonomike, sociale dhe kulturore si dhe për nxitjen e mbrojtjes dhe respektimit për të drejtat e njeriut në botë” tha dje ministri Angjeli.

ECIKS / Shekulli