Oferta më e mirë për Ferronikelin vie nga Shqipëria

Kompania Adi Nikel me seli në Tiranë ka ofruar 27,5 milionë euro, duke u shpallur fituese e fazës së parë përballë anglezes Alferon që ofroi 5 milionë euro më pak. Pas dy javësh zhvillohet faza e e dytë dhe finale që do të shpallë pronarin e ri të kompleksit në Drenas të Kosovës

Prishtinë, 30 prill 2005 – Kompania shqiptare Adi Nikel ka fituar raundin e parë të ofertave për privatizimin e kompleksit industrial Ferronikeli në Drenas, rreth 40 kilometra larg Prishtinës. Kompania me seli në Tiranë, siç bëjnë të ditur burimet në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, ka konkurruar duke ofruar çmimin më të lartë, 27 milionë e 446 mijë e 880 euro, për t’u bërë pronare e Ferronikelit. Burimet e njëjta të AKM-së kanë bërë të ditur për gazetën se kompania shqiptare është shpallur fituese me çmimin e saj përballë kompanisë angleze Alferon, e cila ka ofruar për blerje çmimin 22 milionë e 446 mijë e 880 euro. Ndërkohë, përveç shumës së kërkuar për blerje, një ndër kushtet kryesore që ka vendosur AKM-ja për konkurrentët ka qenë plotësimi i një investimi prej 20 milionë eurosh, shumë kjo që duhet të investohet brenda dy viteve të ardhshme, dhe krijimi i rreth 1 mijë vende pune. Pas hapjes së ofertave, komisioni ka deklaruar se të dy këto kushte janë plotësuara nga konkurrentët.

Konkurrimi
Ofertat e para janë hapur dje në mjediset e AKM-së dhe procesi ka qenë i hapur për publikun. Gjatë hapjes së ofertave, që kanë dorëzuar dy kompanitë, kanë qenë të pranishëm shumë zyrtarëve vendës dhe ndërkombëtarë. Privatizimi i kompleksit Ferronikel është bërë publik që në tetorin e vitit që lamë pas dhe gjatë kësaj periudhe për privatizim janë afruar katër kompani, por nga katër konkurrentë që ishin parakualifikuar në tetor të vitit të shkuar, në momentin e fundit janë tërhequr nga gara dy prej tyre. Siç mësohet, kompanitë e tërhequra janë kompania Samsung dhe Nikomed, kompani të cilat kanë lënë në garën finale kompaninë angleze Alferon dhe atë shqiptare Adi-Nikel.

Raundi final dhe rregullorja e AKM-së
Sipas procedurave të parapërcaktuara nga AKM-ja, për të shpallur kompaninë që do të bëhet pronar i kompleksit në Drenas nevojitet edhe zhvillimi i një faze tjetër konkurrimi, ku kompanitë kanë mundësi t’i ndryshojnë ofertat e paraqitura gjatë raundit të parë. Zëvendësdrejtori menaxhues i AKM-së, Ahmet Shala, deklaroi dje për media se dita kur do të paraqiten ofertat e dyta për Ferronikel nga dy konkurrentët do të jetë pas dy javësh, përkatësisht më 11 maj. Në këtë datë konkurrentët mund t’i rrisin ofertat e tyre të ardhshme. Sipas rregullores së AKM-së, në rastet kur në një konkurrim të tillë ka më pak se tre subjekte konkurruese, atëherë është bordi menaxhues i AKM-së që shpall ofertën më të lartë, ofertë kjo që cilësohet si fitues i përkohshëm, kurse vendimin për ta shpallur ose jo fitues e merr bordi i drejtorëve të AKM-së. Njëkohësisht, nëse bordi vlerëson se çmimi i ofruar është i ulët, atëherë mund të vendosë për përsëritjen e tenderit të ndërmarrjes. “Meqë për Ferronikelin janë vetëm dy oferta, atëherë vendimin përfundimtar e merr bordi i AKM-së,” bëri të ditur Ahmet Shala. Hapjen e ofertave të para e kanë bërë drejtori i AKM-së, Jasper Dick, dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, ku ishin të pranishëm edhe shumë zyrtarë nga UNMIK-u, USAID-i, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, si dhe udhëheqës nga Komuna e Drenasit, ku gjendet edhe kompleksi Ferronikel.

Konkurrues për Ferronikel Oferta në euro
Alferon 22 446 880
Adi Nikel 27 446 880
Samsung tërhequr
Nikomed tërhequr

Lexoni edhe publikime e ECIKS rreth Ferronikelit:
Ferronikeli nuk është dinozaur i socializmit

dhe

Programme of Recovery of Ferronikeli

Kush është “Adi Nikel”

Kompania e shpallur fituese në Kosovë ka marrë 5 leje shfrytëzimi nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës për miniera të ndryshme në Shqipëri. Deri në fund të vitit 2003 ka prodhuar 40.000 tonë nikel-silikat .

Kompania që është shpallur fituese e fazës së parë në tenderin e kompleksit Ferronikel në Drenas të Kosovës është e pranishme që prej disa vitesh në Shqipëri dhe ka në shfrytëzim disa miniera të nxjerrjes së nikel-silikatit. Sipas burimeve në Drejtorinë e Minierave (në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës) është firma Adi sh.p.k. që po shfrytëzon vendburimin e Bitinckës. Kompania në fjalë, e cila ka si aktivitet kryesor shfrytëzimin minerar, ka nënshkruar me Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës pesë leje minerare, me anë të të cilave mund të shfrytëzojë pesë objekte minerare për një periudhë 20-vjeçare. Shfrytëzimi i minierës së Bitinckës nga kjo kompani ka filluar në muajin prill të vitit 2002. Sipas Luan Dibrës, drejtor i përgjithshëm i kësaj firme, lejet minerare nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës për pesë objektet e shfrytëzimit janë dhënë gjatë muajit mars të vitit 2002. Dy prej lejve të dhëna i japin të drejtën për të shfrytëzuar 2 sektorë, ku nxirren materiale ndërtimi, ndërsa tre të tjerat janë për shfrytëzimin e mineralit të nikel-silikatit. Adi sh.p.k., me anë të lejeve 20-vjeçare, ka marrë në shfrytëzim vendburimin e Bitinckës, i cili përbëhet nga sektorët Stranë, Bitinckë, Kokogllavë dhe Kapshticë, vendburimin e Trenit në zonën e Devollit, si dhe sektorët e Surroit, Trullit e Mamëzit në Rrethin e Kukësit. Përsa i përket prodhimit, drejtori Dibra thotë se i tërë minerali i prodhuar në karrierat (burimet sipërfaqësore) e Bitinckës eksportohet në uzinën e Feni Industri në Kavadarsi të Maqedonisë. Dibra bën të ditur se deri në fund të këtij viti parashikohet që të eksportohen drejt Maqedonisë 40 mijë tonë nikel silikat, ndërsa për vitin që vjen ky eksport do të jetë rreth 150 mijë tonë.

Investimet dhe të punësuarit
Deri para disa muajsh në vendburimin e Bitinckës nga Adi sh.p.k. janë investuar rreth 860 mijë dollarë amerikanë. Drejtori Dibra bën të ditur se me këto fonde janë blerë 12 mjete transporti, 8 makineri e pajisje për kryerjen e punimeve, si dhe janë bërë riparimet e galerive e zyrave. Investime janë bërë edhe në burimet njerëzore, të cilat janë trajnuar për proceset e ndryshme të punës. Momentalisht, në Bitinckë janë punësuar rreth 20 persona, prej të cilëve pesë janë specialistë minierash dhe të tjerët minatorë. Që prej marsit të shkuar, për shfrytëzimin e minierës së Bitinckës është krijuar shoqëria e përbashkët shqiptaro-franceze A-F nikel sh.a., ku firma shqiptare zotëron 51 për qind të kapitalit, ndërsa pala franceze 49 për qind të tij.

Investimet e bëra nga Adi në Shqipëri deri më 2003
Shuma investimi
210 000 USD mjete transporti
415 000 USD makineri e pajisje
235 000 USD riparim ambientesh

ECIKS / Biznesi