OEK kërkon më shumë kompetenca

Prishtinë, 17 tetor 2005 – Oda Ekonomike e Kosovës kërkon më shumë kompetenca në fushën e ekonomisë, nga shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Ruecker. Ruecker ndërkaq, i përgëzoi zyrtarët e Odës për organizimin e takimit në Shtërpce, mes biznesmenëve nga Kosova dhe atyre nga Serbia e Mali i Zi.

Po ashtu, në takimin e sotëm, i cili u mbajt në Odën Ekonomike mes prijësve të Odës me Ruecker, është kërkuar që në Odë të funksionojnë disa agjenci të rëndësishme. Nënkryetari i Odës Mustafë Ibrahimi, tha se këto agjenci do të punonin shumë më mirë nëse i menaxhon OEK-u.

“Kërkesat kryesisht janë të orientuara në atë që Odës t’i jepet mundësi që të ketë apo të funksionojë agjencia për regjistrimin e bizneseve, agjencia për investime dhe shumë agjenci të tjera të cilat tani për tani janë në fazën e konstituimit. Kjo sigurisht do të funksiononte dhe do të bënte shumë më mirë nëse ato do t’i liheshin apo do ti ketë nën kompetenca OEK”, ka thënë zotëri Ibrahimi.

Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Ruecker tha se do t’i ketë parasysh këto kërkesa të Odës dhe njëherësh përgëzoi për takimin e realizuar në Shtërpce.

“Unë e kam lavdëruar z. Ibrahimi për punën shumë të mbarë, për një punë sistematike. Po ashtu i kam përgëzuar për aktivitetet e fundit, UNMIK-u ka qenë shumë i interesuar për takimin e fundit në zonën e Shtërpcës”, ka thënë Ruecker.

Nënkryetari i Odës, Mustafë Ibrahimi, tha se Shtylla e Katërt është duke bërë punë të shkëlqyeshme në proceset e mbështetjes së ekonomisë.

ECIKS / Radio Kosova