Nis ndërtimi i dy hidrocentraleve në Kaçanik

Kaçanik, KOSOVË – Sahit Vokshi, pronar i kompanisë “Hidrogjeni”, është dashur të vrapojë tre vjet për të kompletuar dokumentacionin për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla. Të martën, ai dhe përfaqësues të institucioneve kosovare kanë vënë gur themelin për dy hidrocentrale buzë lumit Lepenc, për ndërtimin e të cilëve do të investohen njëzet milionë euro. Vokshi ka thënë që nëse punët shkojnë si duhet, hidrocentralet do të mund të fillojnë të prodhojnë energji nga uji i lumit Lepenc pas 18 muajsh. Edhe pse për të kompletuar dokumentacionin Vokshi ka pritur më gjatë sesa që do të marrë ngritja e hidrocentraleve, ai vlerëson se me institucionet e Kosovës ka pasur një bashkëpunim të mirë. Vokshi shpreson që energjinë ta shesë në Kosovë, edhe pse ende nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për furnizim me Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Do të mundohemi që në radhë të parë ta përfundojmë projektin, pastaj të nënshkruajmë marrëveshjet”, ka thënë Vokshi. Megjithatë, duke parë kërkesën e lartë për energji elektrike në rajon, ai beson se nuk do të ketë problem me shitjen e energjisë elektrike. “Prioritet për furnizim do të ketë Kosova, por nëse në vend kërkesa për energji deri atëherë do të përmbushet, do të shikojmë që energjinë ta plasojmë edhe jashtë vendit”, ka pohuar ai. Uji për furnizimin e hidrocentralit do të merret nga lumi Lepenc. Sa i përket pronës ku do të ngrihet hidrocentrali, ajo është pronë private. Hidrocentrali parashihet të ketë një kapacitet mesatar prej 18.5 megavatësh të energjisë. Varësisht nga ardhja e lumit, ky kapacitet mund edhe të rritet apo të bjerë brenda ditës. Projekti do të realizohet me bashkëfinancim të kompanisë “Interenergo” nga Lubjana e Sllovenisë, e cila merret me zhvillimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme kryesisht ato ujore, e cila merret edhe me shitjen e energjisë në rajonin e Evropës Juglindore. Anton Papesh, përfaqësues i kësaj kompanie, ka thënë se në hidrocentrale do të punësohen rreth 80 punëtorë. Ndërkaq, siç ka thënë Papesh, gjatë ngritjes së hidrocentraleve aty do të mund të gjejnë punë qindra punëtorë. Ai ka shtuar se kompania “Interenergo” shpreson që të financojë edhe projekte të tjera në prodhimin e energjisë nga burimet ujore në Kosovës. Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, ka thënë se politikat e Ministrisë së Ambientit për zhvillimin e sektorit të energjetikës inkurajojnë realizimin e projekteve që sigurojnë energjinë nga burimet alternative, siç janë uji, ajri dhe dielli.

“Kosova në rrugën e ndërtimit të një shteti modern, demokratik dhe integrimit në Bashkimin Evropian do të përballet me kërkesa për plotësimin e standardeve mjedisore, të cilat duhet të kenë prioritet gjatë rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, ka thënë ministri. Yagcilar ka thënë se cilësia e jetës së qytetarëve të Kosovës varet nga cilësia e ajrit, ujit dhe tokës dhe që projektet të cilat nuk dëmtojnë ambientin do të mbështeten nga ministria. “Po punojmë në kompletimin e infrastrukturës ligjore, e cila do të ndihmojë në realizimin e projekteve të cilat mbrojnë ambientin, siç është edhe ngritja e hidrocentraleve”, ka thënë Yagcilar. Xhavit Zharku, kryetar i Komunës së Kaçanikut, ka thënë se hidrocentrali ka qenë i nevojshëm edhe më herët, por që deri tani nuk ka pasur investitorë të cilët do të jepnin mjete për ngritjen e tyre. “Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës fillon etapë e re e zhvillimit edhe në komuna të cilat dikur ishin lënë në harresë. Lepenci tani e tutje do të shfrytëzohet edhe për të mirë të qytetarëve, duke dhënë një pjesë të energjisë e cila do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Zharku. Hidrocentralet do të ngrihen buzë lumit Lepenc, në fshatin Sllatinë të Kaçanikut. Këto hidrocentrale kanë një kapacitet prej 18.5 megavat të energjisë elektrike. Objekti pritet të përfundojë së ndërtuari brenda 18 muajsh. Realizimi i projektit është vlerësuar se do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të vendit. Sipas vlerësimeve të autoriteteve të energjetikës, Kosova ka mundësi që nga burimet hidrike të prodhojë rrymë për të mbuluar dyzet për qind të nevojave të veta për energji.

Ministria e Energjisë dhe Minierave ka miratuar një strategji energjetike, në të cilën vlerësohet se Kosova ka mundësi të prodhojë katërqind megavat hidroenergji. Vetëm dymbëdhjetë për qind e këtyre kapaciteteve janë shfrytëzuar nga hidrocentralet e vogla ekzistuese si Ujmani. Në Kosovë, nga burimet hidro prodhohen rreth dyzet megavat-orë energji elektrike, prej të cilëve tridhjetë e dy megavat- orë nga Ujmani dhe tetë megavat energji nga Lumëbardhi. Pjesëmarrja e hidrocentraleve në prodhimin total të rrymës nga Korporata Energjetike e Kosovës prej tetëqind megavat-orësh nuk është më shumë se katër për qind.

Marrur nga Koha Ditore