Prishtinë, 8 shkurt 2005 – Për mbështetjen e fondeve për sigurimet shëndetësore, Qeveria do të sigurojë 58 për qind të mjeteve të nevojshme, ndërsa 42 për qind do të participojnë të gjithë punëtorët në bazë të kontributeve tjera, u tha sot në dëgjimin publik të cilin Komisioni për Shëndetësi i Parlamentit, e organizoi lidhur me Projektligjin për sigurime shëndetësore, i miratuar në parim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Përgatitjet për fillimin e implementimit të fondit për sigurime shëndetësore do të fillojnë këtë vit, tha ministri i Shëndetësisë Sadik Idrizi, i cili sqaroi se një Ligji tillë është i rëndësishëm për kompletimin e tërë legjislaturës nga fusha e mjekësisë në Kosovë:
“Ky Ligj është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, sepse do të rregullojë shumë gjëra sa i përket sigurimeve shëndetësore të cilat nga përfundimi i luftës në Kosovë, nuk kanë funksionuar si duhet”.
Ky ligj është përpiluar në bazë të Këshillit të Evropës, të Rregullores 1408/71, Rregullore kjo e cila ka mundësuar që në BE të futet kartela e sigurimeve shëndetësore, kartela unike shëndetësore e cila ka filluar prej 1 qershorit 2004, është shprehur Kadri Hyseni këshilltar i ministrit të shëndetësisë, i cili njoftoi se përgatitjet teknike për fillimin e implementimit të fondit të sigurimeve shëndetësore do të fillojnë këtë vit. Qeveria, për këtë fond do të sigurojë 58 përqind mjetet e nevojshme, ndërsa 42 pëprqind do të participojnë të gjithë punëtorët në bazë të kontributeve tjera, tha ai:
“Në tri vitet e para do të ketë implikime buxhetore prej 1 milion e gjysmë euro këto implikime për vitin 2005 parashihen të jenë 360 mijë euro, implikime këto të cilat i dedikohen përgatitjes së fondit të sigurimeve shëndetësore i cili në radhë të parë do të shfrytëzohet për sigurimin e infrastrukturës si dhe kuadrit të ri, si në Prishtinë e po ashtu edhe në qendrat tjerat të Kosovës”.
Në këtë fond do të kenë qasje edhe sektori privat edhe ai publik, çka nënkupton se të gjitha shërbimet shëndetësore të cilat pacientët do ti kenë në sektorin privat do të paguhen nga fondi i sigurimeve shëndetësore. Përpiluesit e këtij ligji shpresojnë se aplikimi i ligjit do të fillojë nga viti 2007. Pas diskutimit të sotëm të tij , si çështje e diskutueshme, ka mbetur ajo e lehonave, të cilat siÇ tha, bëjnë pjesë në kategori sociale por nuk mund të thuhet se janë kategori shëndetësore, andaj nuk janë përfshirë në të drejtën e sigurimeve shëndetësore gjatë lehonisë.
ECIKS / Radio Kosova