Nënshkruhet MTL edhe me Kroacinë

Zagreb, 29 shtator 2006 – Përfaqësues të Qeverisë kroate dhe të UNMIK ut në prani të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli, nënshkruan në Zagreb Marrëveshjen për Tregti të Lirë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, e cila hyn në fuqi më 1 nëntor 2006. Nënshkrimi i marrëveshjes do të forcojë bashkëpunimin ekonomik të Kroacisë dhe Kosovës, meqë ekziston interesi i afaristëve nga të dyja vendet. Në emër të Kroacisë marrëveshjen e ka nënshkruar Igor Luçiq, ndihmësministër për ekonomi dhe në emër të UNMIK-ut Paul Acda, shef i Shtyllës së Katërt.

Liberalizimi rrit tregun

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Bujar Dugolli tha se kjo do të ketë ndikim në rritjen e tregut. Një marrëveshje e tillë pritet të nënshkruhet shumë shpejt edhe me Bosnjën e Hercegovinën.

Një ditë pasi është nënshkruar Marrëveshja e Tregtisë së Lirë (MTL) në mes të Kosovës dhe Kroacisë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Bujar Dugolli, këtë marrëveshje e quajti shumë të rëndësishme.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Kosovës iu ka hapur mundësia e rritjes së tregut”, tha ministri Dugolli. Ai këtë marrëveshje e ka cilësuar si një nga marrëveshjet më të avancuara, e cila është arritur brenda një afati të shkurtër kohor.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosovës iu ka hapur mundësia e rritjes së tregut, kështu që prodhimet kosovare do të mund të gjejnë treg edhe në Kroaci pa iu nënshtruar taksave doganore”, tha Dugolli. Por shifrat nuk tregojnë ndonjë aktivitet të madh të shkëmbimit tregtar në mes të vendit tonë dhe Kroacisë, nëse krahasohet me vendet fqinjë. Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Kroacisë kanë qenë më pak se 6 milionë euro. Përderisa importet kroate kanë arritur shumën prej 5.3 milionë eurosh, Kosova nuk ka mundur të eksportojë mallra në Kroaci më shumë se 270 mijë euro.

MTL-ja e nënshkruar do të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2006. Kjo marrëveshje është më e favorshme për Kosovën, ngase Kroacia ka bërë disa lëshime, duke mos kërkuar asnjë lëshim për mallrat kosovare. Kështu, produktet industriale kroate që importohen në Kosovë do t’i nënshtrohen taksës doganore prej 6 për qind. Ndërsa prej 1 janarit të vitit 2008 parashihet liberalizimi i plotë i tregut me shtetin kroat. Përderisa mallrat kosovare që eksportohen në Kroaci nuk do t’u nënshtrohen taksave doganore.

Pala kosovare, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, shpreson se do të ketë rritje të eksporteve të produkteve vendore për në Kroaci.

Produktet industriale me origjinë kroate, të cilat do t’u nënshtrohen taksave doganore me rastin e importimit në Kosovë, janë: vajrat e naftës dhe vajrat e fituara nga mineralet bituminoze, preparatet ndihmëse larëse dhe preparatet pastruese (ndryshe nga sapuni), frigoriferët, qumësht dhe krem, gjalpë dhe yndyra, djathi dhe gjiza, mishi dhe zarzavatet

Duke folur për liberalizimin e tregut të Kosovës me vendet tjera, Dugolli tha se Kosova së shpejti pritet të nënshkruajë një marrëveshje të tillë edhe me Bosnjën e Hercegovinën.

Sipas Dugollit, Marrëveshja për Tregti të Lirë me Bosnjën e Hercegovinën është dashur të nënshkruhet gjatë kësaj jave, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të fushatës zgjedhore që po mbahet atje. Kosova ka të nënshkruar MTL-të edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

ECIKS / QIK / Express