Mrekullia kosovare në Bursën e Londrës

Botuar ne “Zeri” me 3 shtator 2012.

Për më se dy javë Kosova ka përjetuar një ndryshim imazhi në shtypin anglez dhe botëror. Vendi i mbytur me raporte korrupsioni e krimi, po e fut një kompani të saj në Bursën e Londrës (AIM).

Një kompani që do të punojë në Kosovë me mermerin e saj, Fox Marble është pranuar që të tregtojë në Berzë, e para jo vetëm nga vendi, por edhe nga rajoni.

Pranimi i “Fox Marble” në Bursën e Londrës u përcoll me shkrime të shumta nga mediumet botërore si: Financial Times, The Daily Express, London Evening Standard, The Business Desk etj.

Mermer i shtrenjtë

“Mermeri i Kosovës është më i shtrenjtë sesa që mund të vlerësoni. Mermeri i zi është shumë i kërkuar në SHBA”, shprehej ditë më parë për mediet e huaja Christopher Gilbert, kryeshef ekzekutiv i kompanisë, duke shtuar se këto gurore të mermerit vlerësohet se kanë rezerva prej rreth 300 milionë metra kub mermer.

Gilbert është një biznesmen i njohur, i cili ka ngritur dhe shitur shumë kompani nëpër botë në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e muzikës me kompani të incizimeve.

Pjesë e kësaj kompanie është edhe ish-ylli i emisionit televiziv të BBC-së “Dragon’s Den”, James Caan, përmes kompanisë së tij “Hamilton Bradshaw Capital Partners”.

Lidhur me fillimin e tregtimit të aksioneve në AIM, Gilbert ka thënë se ky është një hap i madh në zhvillimin e “Fox Marble”.

“Unë do të doja t’i mirëpres të gjithë aksionarët tanë të rinj dhe të shohim se Fox Marble bën përparim të shpejtë drejt prodhimit dhe përpunimin e mermerit cilësisë më të lartë”, ka potencuar ai.

Fox Marble është një Holding Kompani angleze, të cilës i është dhënë licenca minerare për pesë gurore të mermerit të mbuluara me një sipërfaqe prej rreth 239.000 metra katrorë në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Pejës, Rahovecit etj.

Drejtuesit e kompanisë planifikojnë të fillojnë operacionet fillimisht në dy guroret e grupit, për të ndërtuar një fabrikë të përpunimit të mermerit dhe të zhvillojnë rrjetin e shitjes së mermerit, ndërsa dy gurore tjera planifikohet të hapen në gjysmën e parë të vitit 2014.

“Grupi synon të shesë një sasi të kufizuar të blloqeve mermerit të papërpunuara për të gjeneruar rrjedhje të hershme të parasë, ndërsa ndërtimi i fabrikës për përpunimin e mermerit parashihet të zgjasë 10 muaj.

Grupi do të përqendrohet kryesisht në shitjen e pllakave të mermeri të lëmuar, të cilët do të kenë destinim industrinë e ndërtimit dhe atë dekorative në të gjithë botën”, bëhet e ditur nga drejtuesit e “Fox Marble”.

Mjedis atraktiv për investime

Një raport i përgatitur nga Associates Golder Limited nga Mbretëria e Bashkuar bënë të ditur se këto gurrore posedojnë mermer të cilësisë së lartë.

Tregu i Kosovës po ashtu shihet atraktivë për investitorët e huaj, pikërisht si një mjedis me kosto relativisht të ulët prodhimit.

Në menaxhmentin e Fox Marble, përpos Christopher Gilbert, është edhe ish kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Etrur Rrustemi, si drejtor menaxhues, i cili tashmë e ka ndërruar mbiemrin në Albani(Etrur Albani).

Drejtore financiar është Fiona Hadfield e diplomuar në Oxford University. Ajo ka punuar më herët në kompaninë e njohur “Deloitte”.

Ndërsa pjesë e Bordit joekzekutiv të kompanisë janë: Andrew Allner, kryesues i Marshall Plc, Sir Colin Terry KBE CB DL, kryesues i Meggitt Plc dhe Roy Harrison OBE, kryesues i “ Renew Holdings Plc”, një ortakëri private që këshillon për investime në Mbretërinë e Bashkuar në sektorin e materialit ndërtimor.

/Zeri/