“Mobteli” në Kosovë, falë UNMIK-ut

Operatori serb është i përqendruar më së shumti në rajonin e Pejës ku operon në më shumë se 11 zona. Zyrtarët e Qeverisë ankohen se nuk kanë kompetenca për t’i larguar antenat e operatorëve ilegalë, duke konsideruar se kjo është kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut

Arbana Xharra

Prishtinë, 22 shtator 2006 – Derisa UNMIK-u dhe Qeveria e konsiderojnë të ndjeshme politikisht “prekjen” e antenave të “Mobtelit” serb, numri i antenave të instaluara nga ky operator ilegal rritet dita- ditës.

Antenat e operatorit ilegal të telefonisë mobile të Serbisë, 063-shi dhe 064-shi operojnë në 28 zona të Kosovës, të cilat po transmetojnë me 46 frekuenca të “Valës 900”.

Operatori serb është i përqendruar më së shumti në rajonin e Pejës ku operon në më shumë se 11 zona, ndërsa vazhdon ta instalojë rrjetin e tij përmes antenave nëpër çdo vend të Kosovës.

“Koha Ditore” ka siguruar dokumentacionin bashkë me fotografi dhe harta ku tregohet qartë se ku janë të vendosura antenat e operatorëve ilegalë në secilën pjesë të Kosovës.
Zyrtarët e Qeverisë ankohen se nuk kanë kompetenca për t’i larguar antenat e operatorëve ilegalë, duke konsideruar se kjo është kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut.
“Nuk kemi kompetenca që të veprojmë, kjo është çështje politike, është kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut”, ka theksuar të premten këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi.

Sipas tij, shkëputja e antenave do të krijonte edhe izolim total të minoriteteve në aspektin e komunikimit.

Drejtori i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Anton Berisha, bën të ditur se i ka informuar UNMIK-un dhe Qeverinë për të gjitha pozicionet e antenave të operatorëve ilegalë të vendosura nëpër Kosovë.

“Por edhe ne kemi një limit në kompetenca ku nuk na lejohet të veprojmë, i kemi informuar UNMIK-un dhe Qeverinë për vendosjen e antenave, por kjo çështje në substancë është politike”, ka thënë Berisha.

Zëdhënësja e Shtyllës IV të UNMIK-ut, Methchilld Henneke, pohon se për momentin kanë kërkuar nga drejtori i ART-së, që të mos i largojë antenat e operatorëve ilegalë nga enklavat, për shkak të situatës së ndjeshme politike në Kosovë.

“Mirëpo, kjo gjendje është vetëm tash për tash, nuk do të zgjasë shumë”, ka thënë për KD-në, Henneke.
Mirëpo, antenat nuk janë të vendosura vetëm nëpër enklava por edhe nëpër vende ku nuk ka asnjë minoritet.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga KD-ja, operatorët ilegalë të Telefonisë Mobile Serbe që po operojnë në 28 zona brenda territorit të Kosovës dhe që janë duke shfrytëzuar edhe frekuencat e “Valës 900”, po ashtu edhe niveli i sinjaleve më i lartë pranohet nga operatori 064 që përdor “Valën 900” në territorin e Kosovës.

Këto rezultate kanë dalë nga fushata e fundit e matjeve që u janë bërë operatorëve ilegalë nëpër Kosovë.

Përveç antenave të operatorit serb të telefonisë mobile, në Kosovë rrjetin janë duke e zgjeruar edhe operatorë të vendeve të tjera fqinje. Operatori i telefonisë mobile nga Maqedonia “Mobimak” operon në rreth 40 kilometra brenda Kosovës nga zona kufitare e juglindjes, e vendosur në katër zona dhe duke transmetuar me 10 frekuenca që të gjitha në “Vala 900”.

Edhe operatori tjetër i Maqedonisë “Cosmofon” po e mbulon të njëjtën zonë si edhe “Mobimak”, por duke shfrytëzuar vetëm një frekuencë të “Valës 900″.

“Promonte”, i Malit të Zi operon në 75 kilometra të Kosovës, duke filluar nga kufiri perëndimor i vendit, dhe duke përdorur tri zona dhe duke transmetuar në “Vala 900”.

“AMC” operatori i telefonisë mobile nga Shqipëria operon në rreth 35 kilometra brenda territorit të Kosovës duke filluar nga zona kufitare e jugperëndimit, dhe duke përdorur vetëm një frekuencë të “Valës 900”.

Zyrtarët e PTK-së thonë se operatorët ilegalë janë duke e dobësuar edhe rrjetin e “Valës 900“.
“Operatorët ilegalë ndikojnë në kualitetin aktual të shërbimeve që ofron rrjeti “Vala 900” dhe është e pamundur që të përmirësohet radio kualiteti për shkak të përdorimit të frekuencave të “Valës 900”, kanë përsëritur disa herë zyrtarët e PTK-së.

Koha Ditore