Miratohet Dokumenti për tërheqjen e investitorëve privat

Prishtinë, 3 maj 2006 – Kabineti qeveritar sot e ka miratuar Dokumentin për tërheqjen e investitorëve privat, me të cilin parashihen investime në termocentralet ekzistuese, në ndërtimin e termocentraleve të reja dhe në sektorin e minierave të Kosovës. Në këtë mbledhje, ministrat nuk kanë diskutuar për çështjen e parregullsive që ka evidentuar Auditori në disa ministri, ndërsa zëdhënësja Ulpiana Lama, tha se hetimet për këtë çështje do të marrin edhe disa ditë.

Zëdhënësja e qeverisë, Ulpiana Lama, tha se hetimet mbi parregullsitë e dyshuara në disa ministri do të marrin edhe disa ditë, por nuk përcaktoi ndonjë datë të re kur do të mund të sqarohej përfundimisht kjo çështje.

“Kërkesa e kryeministrit për të bërë një shtyrje të tillë është thjesht parimore dhe ka të bëjë me identifikimin e zinxhirit të përgjegjësive”.

Lama e përjashtoi mundësinë e presionit nga partnerët e koalicionit, por pranoi se ka presion publik, i cili, siç u shpreh ajo, është shenjë e emancipimit të shoqërisë.

“Presioni është publik, është i bërë nga ana juaj, nga qytetarët, pra një presion publik në luftimin e korrupsionit, dhe ne këtë e marrim si shenjë të mirë, shenjë të emancipimit të shoqërisë kosovare. Ju e dini, para një viti antikorrupsioni nuk ka qenë top temë dhe sot kjo është e tillë. Kjo është një shenjë në drejtimin e duhur”.

Kurse sa i përket mbledhjes së sotme të qeverisë, ajo bëri të ditur se është miratuar Dokumenti për tërheqjen e investitorëve privatë, cili do të nxirret edhe në një debat publik.

“Ky dokument parasheh disa fusha të investimeve në termocentralet ekzistuese apo ndërtimin e termocentraleve të reja, si dhe në sektorin e minierave”.

Kabineti sot ka diskutuar edhe për shkurtimin e shpenzimeve administrative, me të cilin synohet rritja e efikasitetit të administratës.

ECIKS / Radio Kosova