Ministri Zharku vizitoi Austrinë

Vjenë – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, z. Lutfi Zharku ka qëndruar për një vizitë dyditore në Vjenë, me ftesë të ministrit të Ekonomisë dhe Punës të Republikës së Austrisë, z. Martin Bartenstein.

Gjatë kësaj vizite ministri Zharku ka zhvilluar takime pune me zëvendësministrat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës të Austrisë, z. Josef Mayer dhe z. Herbert Preglau, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy ministrive. Zëvendësministrat austriakë kanë shfaqur gatishmërinë e qeverisë së Austrisë për të vazhduar përkrahjen në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në vazhdën e këtij bashkëpunimi është vendosur thellimi i bashkëpunimit në mes të MTI-së dhe ministrisë simotër austriake përmes projekteve konkrete të binjakëzimit të Agjencive për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa bisedat për konkretizimin e këtij akti do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave, me një koordinim të plotë ndërmjet Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe të Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS).

Ministri Zharku gjatë vizitës në Vjenë është takuar edhe me ish-zëvendëskancelarin austriak, Dr. Erhard Busek, ku janë trajtuar çështjet aktualet të ekonomisë kosovare. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Zharku ka vizituar edhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), ku është njohur me projektet aktuale të kësaj agjencie për Kosovën dhe planet për të ardhmen.

Në fund të qëndrimit të tij në Vjenë, ministri Zharku me bashkëpunëtorë kanë vizituar edhe Zyrën e Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Vjenë, e cila menaxhohet nga ECIKS dhe financohet nga qeveria e austriake. Në këtë takim, delegacioni kosovar është njoftuar për aktivitetet dhe rezultatet e kësaj zyre, si dhe për interesimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.