Ministri Lutfi Zharku ligjëron në Forumin prestigjioz të Alpbahut

Alpbah, AUSTRI, 28 gusht 2008 – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka mbajtur të mërkurën në mbrëmje një ligjeratë speciale në forumin prestigjioz të Alpbahut në Austri. Në ligjeratën me temë “Një Shtet në Krijim”, Ministri Zharku është koncentruar në çështje ekonomike duke paraqitur sukseset dhe sfidat e Kosovës dhe duke ftuar kompanitë e huaja të investojnë në Kosovë.

„Kosova ka bërë përparime të mëdha në krijimin e një ekonomie të tregut, kurse deklarata e pavarësisë dhe njohja e saj nga ekonomitë më të mëdha botërore ka mënjanuar edhe pengesën e fundit për investitorët e huaj“, ka thënë Ministri Zharku në ligjeratën e tij duke konkluduar se „Kosova ka potenciale të mëdha për zhvillim dhe përparim, ka pozitë gjeografike në mes të tregut të Evropës Juglindore që përbëhet nga rreth 70 milionë konsumatorë, është e pasur me resurse natyrore dhe ka një fuqi punëtore të re, të motivuar dhe me shpirt ndërmarrës“.

Gjatë punimeve të forumit, Ministri Zharku, i shoqëruar edhe nga Kujtim Dobruna nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), ka pasur takime edhe me Z. Erhard Busek, kryetar i Forumit të Alpbahut dhe Z. Veit Sorger, kryetar i shoqatës së industrialistëve të Austrisë. Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar çështje të bashkëpunimit ekonomik si dhe aktivitete për të ardhmen, përfshirë organizimin e “Ditës së Investitorëve Austriakë” në Kosovë (Austrian Investor’s Day), pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës si dhe një prezantim të Kosovës para industrialistëve të Austrisë.

Forumi i Alpbahut është një ngjarje tradicionale ku përfaqësues të politikës, ekonomisë e të shoqërisë nga e gjithë bota diskutojnë gjatë dy javëve sfida dhe tema aktuale e globale. Është ky viti i parë që në Qendrën e Kongreseve në Alpbah ka valuar edhe flamuri i Kosovës pranë flamujve të shteteve tjera pjesëmarrëse.

ECIKS / MTI