Në një intervistë për gazetën austriake “Standard”, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni ka thënë se Kosova do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian para vitit 2020.
Hyseni ka thënë se zhvillimet pozitive në Kosovë japin shpresë se vendi do të përparojë shpejt drejt integrimit në BE.
Ministri Hyseni ka thënë se Serbia nuk mund të kërkojë anëtarësim ne BE, derisa po përpiqet që ta destabilizojë Ballkanin. Sipas shefit të diplomacisë kosovare, Serbia në Bruksel paraqitet shumë evropiane, ndërsa në Ballkan nuk është aspak e tillë.
Hyseni ka shfaqur shpresën se pas deklarimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë priten njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.
I pyetur nëse pret njohje edhe nga shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Hyseni i tha gazetës austriake se ai pret një “presion miqësor ndaj këtyre shteteve nga shtetet tjera anëtare të BE-së” – dhe ka shtuar se, “Greqia po ecën në drejtim të njohjes së Kosovës”.
ECIKS