Ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë Kosovën

Bruksel, 21 shkurt 2005 – Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen të hënën në Bruksel ka takuar përfaqësues të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar përparimet e arritura në Kosovë në tre muajt e fundit.

Vizita e zotit Jessen-Petersen në Bruksel realizohet, njëkohësisht me atë të presidentit amerikan, George W.Bush, i cili siç mësohet, në mesin e çështjeve që do të diskutojë me kolegët e tij evropianë, do të jetë edhe problemi i Kosovës.

Jessen Petersen ka diskutuar me Këshillin e Ministrave të BE-së mënyrat e ndihmesës që ai mund t’i japë Kosovës gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të saj dhe në veçanti, ndihmën që BE-ja mund ta japë për Kosovën pas zgjidhjes së statusit përfundimtar.

Çështja e Kosovës ndërkaq, këtë vit ndodhet në krye të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare, në mesin e pesë problemeve kryesore ndërkombëtare që, thuhet se do zgjidhje konkrete.

Duke folur në Bruksel, Havier Solana, shefi i politikave të jashtme të BE-së tha,

“Mendoj se në Kosovë diçka duhet të fillojë të lëvizë, në vitin 2005, në pjesën e dytë të këtij viti. Në pjesën e parë të vitit duhet të vazhdojë puna për përmbushjen e standardeve, që në fund të fundit është respektimi i minoriteteve, multietniciteti etj,” tha zoti Solana.

Petersen në Bruksel dhe më vonë gjatë javës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku do të paraqesë raportin për standardet, do të vazhdojë të këmbëngulë në fillimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës gjatë këtij viti, për të ndihmuar proceset në Ballkan.

ECIKS /BBC Albanian