PRISHTINË, 05 SHTATOR 2003 – Zyra për Informim e Presidentit të Kosovës, z. Ibrahim Rugova njoftoi dje se Kosova dhe Austria po përgatisin një memorandum për garantimin e investimeve austriake në vendin tonë. Kjo u bë e ditur në takimin e Presidentit Rugova me shefen e deritashme të Zyrës austriake në Prishtinë, Gerda Vogel.
Sipas Zyrës për Informim, në takim është biseduar kryesisht për gjendjen në Kosovë dhe për perspektivën e saj politike dhe ekonomike. Në këtë aspekt u bë e ditur se është duke u përgatitur një memorandum me të cilin do të garantohen investimet austriake në Kosovë, nga rreziku politik dhe rreziku i ndryshimit të valutës.
Një memorandum të tillë, vitin e kaluar e ka nënshkruar ShBA-ja me UNMIK-un dhe me Qeverinë e Kosovës. Ndërsa, bisedime të ngjashme UNMIK-u është duke zhvilluar edhe me shtete të tjera, si Sllovenia dhe Gjermania, dhe marrëveshjet pritet të arrihen së shpejti.
Zonja Vogel u prit nga Presidenti në një takim lamtumirës, pasi që ajo së shpejti do të largohet nga Kosova. Shefi i ri i Zyrës së Austrisë në Kosovë nga tetori i këtij viti do të jetë Mag. Bernd Alexander Bayerl.
ECIKS – (K. D.)