MEF publikoi buletinin tremujor makroekonomik

Prishtinë, 18 korrik 2006 – Ministria e Ekonomisë dhe Financave publikoi sot buletinin e parë tremujor makroekonomik, të përgatitur nga departamenti përkatës i saj, sipas të cilit prodhimi vendor do të rritet për tre për qind këtë vit. Ky dokument evidenton segmenet kryesore të zhvillimeve dhe ngecjeve në sistemin makroekonomik, si dhe të faktorëve që ndikojnë në to. Këshilltari për politika makroekonomike në këtë departament, Selim Thaçi, tha se buletini ka karakter të njohjes së opinionit me trendet e zhvillimit, që për këtë vit pritet të rritet tre për qind prodhimi krahasuar me një vit më parë.

Këshilltari tjetër Hajdar Korbi, tha se raporti evidenton mungesën e politikës së brendshme monetare, mungesën e qasjes në institucionet e jashtme financiare, rënien e donacioneve, të cilat kanë bërë që të lëkunden ndjeshëm disa parametra të zhvillimit.

Buletini është fokusuar në katër sektorë ekonomik në atë real, fiskal, financiar dhe të jashtëm.

Në sektorin real kanë përfshirë një pasqyrë makroekonomike, sipas zhvillimeve dhe faktorëve, gjatë viteve 2004, 2005, dhe tremujorit të patë të 2006-ës. Ndërsa, në vitin 2004 Bruto Prodhimi Vendor (BPV), ishte rritur për katër për qind, vitin e shkuar ishte negative për minus 0.2 për qind. Ndërkohë që për këtë vit edhe projektimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar parashohin një rritje të BPV-së për tre për qind. Kjo rritje bazohet kryesisht në parashikimin e rritjes së eksportit vjetor për 20.3 për qind, ndonëse ai në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje për 45.3 për qind. Ky eksport ka shënuar rritje kryesisht nga shitja e prodhimeve nga druri në Britani të Madhe dhe nga uji Dea në Dubai si dhe të prodhuesve të tjerë cilësorë.

Ndërsa, në vitin 2007 pritet rënie e sërishme e BPV-së në shkallën minus 1.6 për qind, ndërsa në vitet 2008 e 2009 pritet ngritje e BPV-së.

Në këtë pasqyrë vëmendje i kushtohet edhe punësimit, që sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shënuar rritje për 49 për qind, krahasuar me tremujorin e 2005, duke punësuar 1.467 veta. Por, nëse krahasohet me tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka shënuar rënie për 7.2 për qind. Por, sipas strukturës së papunësisë vetëm dy për qind me diploma universitare janë në kërkim të punës, ndërsa 63 për qind janë të pakualifikuar apo me vetëm gjysmë kualifikimi, dhe 26 për qind të strukturës së të papunëve e përbëjnë personat me arsim të mesëm. Kjo pjesë e raportit i kushton vëmendje procesit të privatizimit, efektet e të cilit nuk janë dhënë ende, si në punësim po ashtu edhe në zhvillim.

Edhe çmimet e konsumit kanë shënuar rritje, kryesisht në telefoni dhe në transport, ndërsa kjo e fundit vlerësohet të ketë ndodhur për shkak të ngritjes së çmimit të naftës në botë.

Politika e përmirësuar tatimore ka sjellë ngritje në vjeljen e tatimeve për 5.5 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar.

Në pjesën që i kushton vëmendje zhvillimit të sektorit bankar komercial, vihet në dukje se përkundër faktit se ka falimentuar një bankë, nuk është luhatur ky sistem, Sipas Hajdar Korbit, raporti i kredive me depozitat tash është 65 për qind, që premton stabilitet dhe mundësi që të krijeohen raporte më të mira ndërmjet kredive dhe depozitave.

ECIKS / RTK