Mbahet tryeza e shtatë për produktet e industrisë

PRISHTINË, 4 maj 2007 – Ngritja e infrastrukturës së cilësisë përmes përafrimit me direktiva të Bashkimit Evropian, sipas ekspertëve të industrisë, që morën pjesë në tryezën e shtatë me radhë, të hënën, është vlerësuar si parakusht për qarkullim të lirë dhe të sigurt të produkteve industriale.

Zv.ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Kadri Kryeziu, ka pohuar se konceptet e reja për zhvillimin ekonomik të vendit, të cilat dalin nga tryezat e tilla, do të jenë argument i rëndësishëm në punën e Ministrisë. “Zëri juaj do të jetë argument I rëndësishëm që do të reflektohet në punën e Ministrisë”, është shprehur Kryeziu para ekspertëve dhe përfaqësuesve të prodhimeve industriale në Kosovë.

Ai ka përshëndetur iniciativën e krijimit të një qasjeje të re për këtë fushë të ekonomisë, për të cilën, sipas tij, në Kosovë ka mjaft resurse, të cilat mund të shfrytëzohen dhe të nxirren produkte konkurruese me vendet përreth. Drejtori i Departamentit të Industrisë, Izet Ibrahimi, në prezantimin e tij mbi ndikimin e standardeve në cilësinë e produkteve industriale, ka thënë se prodhuesit duhet të aplikojnë standardet e Agjencisë Ndërkombëtare për Standardizim, ISO, sidomos ato ISO 9001:2000.

“Prodhuesit duhet të mësohen me modulet nga qasja globale dhe detyrimet e pjesëmarrësve në tregun e brendshëm të BE-së”, ka pohuar Ibrahimi, duke shtuar se po synohet që Kosova të ketë prodhime cilësore industriale. Sipas tij, departamenti i industrisë në kuadër të MTI-së ka caktuar objektivat kyçe në kontekst të përafrimit legjislativ me direktiva të BE-së dhe ato teknike, me anë të së cilave synohet eliminami i barrierave teknike në tregti.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Standardeve dhe Akreditimit, Hafiz Gara, ka pohuar se standardet teknike në konkurrencën e produkteve industriale do të ketë ndikim të madh në plasmanin e tyre në tregjet evropiane. Kompetencat në këtë fushë, sipas Ligjit për standardizim janë kompetencë e Agjencisë për Standardizim (ASK), të themeluar në bazë të Ligjit 2004/12. Gara ka theksuar se ASK-ja synon që në fazën transitore deri në definimin e statusit politik të Kosovës të krijojë qasje legale në organizmat ndërkombëtare, për të krijuar mundësinë e adoptimit të standardeve dhe shpalljes së tyre si standarde kosovare.