Masat doganore shtrenjtojnë koston e jetës

Kukës, 26 mars 2007 – Masat doganore të ditëve të fundit në Morin të Kuksit, si dhe në anën e Kosovës në Vërmicë, kanë sjellë si pasojë shtrenjtimin e shumicës së produkteve të konsumit të përditshëm për tregun e Kuksit, duke çuar në shtrenjtimin e jetesës. Masat doganore konsistojnë në ndalimin e transportit të mallrave të konsideruara me pakicë dhe të klasifikuara në ligj si destinacion familjar, deri në masën 300 euro, për të cilën nuk paguhet doganë. Ky lloj trasporti kryhej çdo ditë nga Prizreni apo qytete të tjera në drejtim të Kuksit. Zbrazja e magazinave të shumicës në Prizren dhe transferimi në Kukës nëpërmjet transportit me pakicë, ka shmangur rritjen e çmimit që pëson çdo mall që transportohet nga një shtet në tjetrin, që, sipas ekspertëve, asnjëherë nuk zbret nën 20 për qind. Kështu që çdo mall i ardhur nga Kosova ka hyrë në tregun e Kuksit 20 për qind më lirë nga ç‘mund të kushtonte. Ndërkaq, bananet dy ditë më parë janë rritur me 20 deri në 35 për qind, kivit, mollët, dardhët dhe frutat e tjera janë rritur me 20 për qind. Por ka një numër artikujsh, të cilët, edhe pse transporti sot ndodhet në zero tolerancë doganore, kanë ruajtur stabilitetin e deritanishëm. Mielli ka kushtuar kohët e fundit 3.400 lek/kv dhe po aq kushtonte edhe dje në tregun e shumicës në Kukës.

ECIKS