Limak-Aeroport de Lyon fiton tenderin për ANP-në

Konsorciumi Turko-Francez “Limak-Aeroport de Lyon” është shpallur të premten fitues i tenderit për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme.

Koncesionari është zotuar se do të investojë në aeroport 100 milionë euro, ndërsa përfitimi i buxhetit nga kjo shumë do të jetë nga 23 deri në 55 për qind.

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se po synon që përmes investimit të kapitalit privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndër të tjera, të sigurojë infrastrukturë moderne, përmirësim të komoditetit, shërbime të nivelit botëror, përfitime nga efikasiteti në operim si dhe transparencë të shtuar në operimin dhe financimin e aeroportit.

Përzgjedhja është bërë e ditur gjatë një ceremonie publike të transmetuar direkt në televizion, në të cilën është bërë hapja e propozimeve të dorëzuara nga ofertuesit e para-kualifikuar.

Limak/Aerport de Lyon i është dhënë kontrata për arsye se i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39.42% % të të hyrave bruto, në këmbim të të drejtave të koncesionit.

IC Frapport Havamanli ICTAS, ofertuesi që ka zënë vendin e dytë, ka propozuar një mesatare prej 30.37% të të hyrave bruto.

Nga Limak Holding dhe Aeroprot de Lyon do të kërkohet të modernizojë dhe të zgjerojë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke investuar mbi €100 milionë në infrastrukturën e re, duke përfshirë këtu ndërtimin e objektit të terminalit të ri. Nga koncesionari i ardhshëm do të kërkohet gjithashtu të operojë me Aeroportin me oferta të zgjeruara të shërbimeve dhe me nivele të rritura të cilësisë. Republika e Kosovës do të ruajë 100% pronësinë mbi asetet e Aeroportit.

ECIKS