“Është konsideruar se nepotizmi nuk duhet të jetë kriter i parë për ata që largohen nga puna, por vetëm kur është fjala për punësim”, tha të dielën zëdhënësi i AP-së Skender Bucolli.
Sipas tij, kriteret kryesore si shkak i largimit nga puna janë, “joprofesionalizmi, mosnjohja e gjuhës, ankesat…”
Arbana Xharra
Prishtinë, 23 korrik 2006 – Largimi i paraparë i 24 punëtorëve të tjerë nga aeroporti i Prishtinës ka gjasë të sjellë telashe, bazuar në burimet e gazetës. Sipas këtyre burimeve, punëtorët do të refuzojnë këtë vendim të Bordit të Drejtorëve, pasi sipas tyre fajtor për këtë vendim është menaxhmenti i aeroportit.
“Punëtorët nuk do të dalin aq lehtë nga puna, sepse gjithçka po shkon me marrëveshje mes menaxhmentit”, tha burimi i KD-së i afërt me menaxhmentin e AP-së, derisa ka bërë të ditur se katër prej këtyre punëtorëve janë zgjedhur nga sigurimi i shërbimit të kontrollit të trafikut ajror dhe njëzet nga pjesa e terminalit.
Ky burim, që është i afërt me menaxhmentin, tha se punëtorët janë njoftuar se nepotizmi është kriteri i fundit i përcaktuar nga Bordi i Drejtorëve për të larguarit nga puna.
“Punëtorët janë të revoltuar me menaxhmentin të cilët vetë janë fajtorë për mbipunësim”, tha burimi i KD-së.
Edhe zëdhënësi i aeroportit të Prishtinës e pranon se nepotizmi është vendosur nga Bordi i Drejtorëve si kriter i fundit për të larguarit nga puna.
“Është konsideruar se nepotizmi nuk duhet të jetë kriter i parë për ata që largohen nga puna, por vetëm kur është fjala për punësim”, tha të dielën zëdhënësi i AP-së Skender Bucolli.
Sipas tij kriteret kryesore si shkak i largimit nga puna janë, “joprofesionalizmi, mosnjohja e gjuhës, ankesat…”.
Ai tha se menaxhmenti nuk ka mundur të vendosë se kush do të largohet nga puna. “Për gjithçka është marrë vendim nga Bordi i Drejtorëve”, tha Bucolli.
Ndërkohë që burime të KD-së bënë të ditur se ka pasur konflikte të mëdha mes menaxhmentit të aeroportit rreth zgjedhjes së punëtorëve për t’i larguar nga puna. “Fillimisht janë marrë vesh menaxherët se cilët punëtorë duhet të largohen nga puna, pastaj kjo çështje ka kaluar në Bordin e Drejtorëve”, tha burimi i KD-së i afërt me menaxhmentin e AP-së.
Kryetari i sindikatës së shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror, Petrit Mehmeti, tha se do të mbrojnë dinjitetin e punëtorit duke mos dhënë detaje se cilat janë masat që do t’i ndërmarrë sindikata gjatë javës.
“Do ta mbrojmë dinjitetin e punëtorit, e gjatë javës do të shohim se cilat janë masat që do t’i ndërmarrim, do të lëshohen komunikatat ndërkohë”, tha kryetar i sindikatës të shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror.
Deri më tash janë larguar 30 punëtorë nga AP-ja, në fillim të qershorit janë larguar 12 punëtorë.
Sindikata pat kritikuar menaxhmentin për mbipunësim duke kërkuar nga ata llogari për situatën e krijuar në aeroport.
“Deri më sot asnjë prej menaxhmentit nuk ka dhënë përgjegjësi pse e ka krijuar mbipunësimin”, pat thënë një muaj më herët Mehmeti.
Sindikata e divizionit të shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Prishtinës pat akuzuar menaxhmentin e saj për vendimin që të largohen rreth 12 punëtorë nga puna, si tendencë për largimin e vëmendjes nga aferat korruptive të publikuara se fundi në media.
Zëdhënësi ka përsëritur disa herë se largimet e punëtorëve janë në fazën e sistemimit të punëtorëve e që parashihet të përfundojë deri në fund të vitit kur do të mbyllet numri prej 200 të larguarve.
Sindikata në fillim të këtij viti në bisedë me menaxhmentin parimisht është pajtuar që në divizionin e shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror deri në fund të vitit të mos largohet asnjë punëtor nga puna.
Sindikata thotë se punëtorët nuk kanë faj që menaxhmenti ka krijuar mbipunësim.
Marrë nga Koha Ditore