Kosovë: Llamkosi iu shit anglezëve

26 gusht 2011 – Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkroi sot marrëveshjen për shitje të ndërmarrjes Llamkos në Vushtrri kompanisë angleze CORESTEEL për 6.5 milionë euro .

“Me marrëveshjen e nënshkruar, blerësi, sipas biznes planit te ofruar, premtoi se brenda një periudhe 6 mujore do të punësojë në ndërmarrje 437 punëtorët ekzistues , do të vazhdojë aktivitetin e njëjtë biznesor për një periudhë së paku 5 vjeçare dhe nuk do te zhvendosë makineritë nga hapësirat e ndërmarrjes”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Sa i përket investimeve, blerësi anglez ka marrë obligime të investojë në ndërmarrje një shumë të konsiderueshme të kapitalit.

Investimet e premtuara nga blerësi kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, në veçanti për Komunën e Vushtrrisë, e cila do të ketë përfitime të drejtpërdrejta nga këto investime.

/Koha/