Kosovarët të pakënaqur me KEK

Prishtinë, 12 qershor — Problemi i furnizimit me energji elektrike konsiderohet njëri ndër pesë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Ndërsa arsye kryesore për mospagesën e energjisë, sipas Raportit të Paralajmërimit të Hershëm të prezantuar nga instituti Riinvest, konsiderohet gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve. Mënyra më e mirë për të rritur inkasimin e borxheve për energjinë e shpenzuar, sipas raportit, konsiderohet dënimi me 100 euro gjobë apo procedimi i lëndës në gjykata për ata të cilët nuk shprehin gatishmëri për të paguar energjinë e shpenzuar.

Zëvendësdrejtoresha menaxhuese e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Pranvera Dobruna, ka pohuar se tanimë çështja e pagesës së energjisë së shpenzuar nuk është vetëm çështje e KEK, por konsiderohet çështje nacionale. “Tanimë çështja e pagesës së energjisë elektrike është e lidhur ngushtë edhe me qëndrueshmërie ekonomike të Kosovës. Kështu që ka nevojë për një mobilizim të përgjithshëm në mënyrë që të realizohen synimet tona”, ka deklaruar Dobruna në debatin lidhur me pagesën e energjisë elektrike dhe raportin mes konsumatorëve dhe KEK. Qëllimi i këtij debati ka qenë vënia e raporteve të mirëfillta, të përgjegjësisë dhe interesave reciproke ndërmjet konsumatorëve dhe KEK si dhe diskutimi i çështjeve që kanë të bëjë me furnizim me energji, si dhe inkasimi i borxheve.

Zëvendësdrejtoresha e KEK ka pohuar se KEK është munduar që gjatë sezonit veror të realizojë një furnizim sa më normal për konsumatorët, në mënyrë që t’i detyrojë ata t’i përgjigjen pozitivisht pagesës së energjisë elektrike. “Çështja e importit të energjisë elektrike tanimë është zgjidhur deri në fund të vitit 2006 me marrëveshjet që kemi pas me vendet tjera dhe se shpejti do të fillojmë negociatat për import të energjisë gjatë vitit 2007”, tha Dobruna. Në anën tjetër, Fëllanza Pula, drejtoreshë e divizionit të furnizimit në KEK, ka theksuar se objektivat e KEK pikësëpari janë rritja e shkallës së inkasimit, faturimit dhe përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së energjisë elektrike, pasi që, sipas saj, ka ankesa nga konsumatorët në këtë drejtim.

Pula ka sqaruar se gjatë vitit 2004, KEK ka inkasuar 74 milionë euro që paraqet vetëm 58 për qind të energjisë së faturuar, ndërsa në vitin 2005 janë inkasuar 84 milionë euro, apo 69 për qind e faturimit.
Zyrtarët e KEK kanë shprehur pakënaqësi të shumta rreth kyçjes së konsumatorëve në mënyrë ilegale në rrjetin energjetik. “Vetëm 25 deri 35 për qind e konsumatorëve të shkyçur, rikyçen në rrjet në mënyrë legale, ndërsa pjesa tjetër bëhet në mënyrë ilegale”, tha Pula.

Ndërsa ministri i Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, ka vlerësuar se vënia e një raporti të shëndoshë ndërmjet konsumatorëve dhe kompanive, në këtë rast KEK, është kusht themelor për zhvillimin edhe të kompanisë, por edhe për furnizim të rregullt dhe cilësor të konsumatorëve. Sipas tij, problemi kryesor që nga përfundimi i luftës në aspektin energjetik mbetet niveli i ulët dhe i pamjaftueshëm i pagesës së energjisë elektrike nga konsumatorët e KEK.

“Kjo ka ndikuar që KEK të mos jetë në gjendje të mbulojë shpenzimet e veta si dhe të ndajë fonde për mirëmbajtje dhe investime, e gjithashtu të varet edhe nga fondet e jashtme si dhe nga buxheti i Kosovës, i cili deri tani ka ndarë për subvencionimin e KEK, duke përfshirë edhe importin e energjisë elektrike,
rreth 400 milionë euro”, tha ministri Çeku.

Sipas tij, problemi i inkasimit të borxheve ndaj KEK nuk është vetëm çështje ekonomike dhe financiare,
por ai, sipas ministrit Çeku, paraqet edhe problem ligjor, politik, social dhe psikologjik. “Problemi ligjor paraqet zbatimin e dobët të ligjit në Kosovë, problemi psikologjik paraqet vetëdija jo e lartë e konsumatorëve për pagesën për atë që shpenzojnë, problem politik paraqet mëvetësia jo e plotë e sistemit energjetik kosovar, kurse gjendja e vështirë ekonomike e popullatës shpreh elemente të gjendjes
së dobët ekonomike e sociale të konsumatorëve”, ka vlerësuar Çeku, duke shtuar se tërë këtyre çështjeve duhet shtuar edhe menaxhimi jo i mirë i kësaj ndërmarrjeje që nuk ka sjellë rezultate të mira gjatë këtyre viteve.

Me qëllim të mobilizimit institucional karshi problemeve në fushën e energjetikes, MEM ka krijuar grupin e përbashkët punues, Task Force, me pjesëmarrjen e institucioneve kosovare, administratës ndërkombëtare dhe donatorëve. Ky grup ka rënë dakord që borxhet e KEK të mos falen assesi, borxhet
të shiten me tender, tenderët të specifikohen sipas rajoneve si dhe është kërkuar definimi i periudhës
së borxheve për konsumatorë.

ECIKS / Marrë nga Gazeta Express