Kosova anëtare e hapësirës ajrore evropiane

Prishtinë, 9 qershor — UNMIK ka nënshkruar marrëveshjen multilaterale për themelimin e hapësirës së përbashkët ajrore (ECAA), me rastin e mbledhjes së Këshillit Transportues të Bashkimit Evropian, të mbajtur në Luksemburg.

Nënshkrimin e ka bërë përfaqësuesi i shtyllës së katërt të UNMIK, i shoqëruar nga ministri për Transport dhe Telekomunikacion Qemajl Ahmeti. Marrëveshja multilaterale është nënshkruar në mes të Komunitetit
Evropian dhe shteteve anëtare si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Islanda, Maqedonia, Norvegjia, Serbia, Mali i Zi, Romania dhe UNMIK-u.

Objektiv i ECAA, sipas shtyllës IV, është që të hapë tregjet e transportit ajror në mes të Evropës dhe fqinjëve, dhe të arrijë deri tek një traktat ndërkombëtar nëpërmes të cilit do të krijoheshin standarde dhe
rregulla të njëjta brenda një hapësire të përbashkët ajrore. Si i tillë, një ECAA në mes të komunitetit dhe vendeve të treta duke ndjekur modelin e njëjtë që ekziston brenda tregut të brendshëm të BE-së. Nga ky këndvështrim konsiderohet se ECAA bëhet një kornizë për shtrirjen e qiellit të përbashkët evropian në regjion.

Nën ECAA, UNMIK-Kosovë është subjekt i Komunitetit Evropian e kontrolluar me kujdes nga sigurimi aviator, i cili siguron nivelet e sigurisë së standardeve në këtë dhe në zonat e lidhura me këtë. Nëpërmes kësaj marrëveshjeje Aeroporti i Prishtinës do të përfitojë nga vazhdimi i mbështetjes prej Komisionit Evropian, nëpërmes ndihmave financiare dhe teknike.

ECAA do të krijojë lehtësira edhe për udhëtimin ajror nga dhe në Kosovë drejt tregut të integruar të aviacionit. Një marrëveshje e tillë, sipas shtyllës IV, do të krijojë më shumë të ardhura edhe për buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nga UNMIK për Kosovën, ku vendi ynë do të jetë pjesëmarrës me të drejta të plota, është konsideruar një hap i rëndësishëm drejt arritjes së standardeve evropiane në infrastrukturë, si në atë ligjore ashtu edhe në atë ekonomike.

ECIKS / Gazeta Express