Kosovarët konsumojnë më shunë qumështin vendor

Prishtinë, 24 prill 2006 – Popullata kosovare konsumon dy herë më tepër qumësht të prodhimit vendor se sa të importit, thanë për Kosovapress zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Odës Ekonomike të Kosovës.

Bajram Imeri, drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë Blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha për Kosovapress se sipas të dhënave zyrtare të kësaj ministrie, rreth 70 % e popullatës në Kosovë furnizohen me qumësht të prodhimit vendor, ndërsa 30 % furnizohen me qumësht nga importi.

“Këto shifra variojnë sipas sezoneve, sepse në pranverë shumë më tepër ka përqindje të konsumit nga prodhimi vendor i qumështit, kurse në vjeshtë bie konsumi vendor, ndërsa rritet konsumi i qumështit nga importi”, thotë ai.

Sipas tij konsumimi i qumështit vendor dhe atij të importuar ndryshon sipas tregut urban dhe atij rural, pasi në atë të parin, sidomos në markete, shitet qumështi nga importi, derisa në tregjet rurale dhe vendbanimet tjera qumështi konsumohet nga prodhimi vendor. “Këtë e dëshmon fakti, se në Kosovë ekzistojnë 83.298 ferma blegtorale”, ka theksuar Imeri.

“Konsumi i përgjithshëm i qumështit gjithsej është 339.600 tonë në vit, kurse për kokë banori 170 litra qumësht ekuivalent, që hyjnë të gjitha produktet e qumështit, djathi, jogurti, maza, etj. Prej tyre, 90.000 litra qumësht në ditë shkon në përpunim”, pohon Imeri.

Sipas tij prodhimi vendor arrin në 237.000 tonë qumësht brenda një viti, kurse pjesa tjetër nga importi. Imeri thotë se prodhimi vendor ka shënuar rritje në dy vjetët e fundit, sepse janë hapur shumë ferma dhe mini-ferma të reja blegtorale dhe komerciale të lopëve qumështore.

Ai ka potencuar se Ministria e Bujqësisë dhe shoqatat qumështore dhe fermerë kanë bërë kërkesë në Shtyllën IV të UNMIK-ut që të bëhet nivelizimi dhe vlerësimi i bazës doganore për importin e qumështit, sepse çmimi i qumështit të importuar është më i lirë, dhe konkurrent në tregun kosovar. “Ne e kemi bërë këtë kërkesë me qëllim që prodhimi vendor i qumështit, të jetë konkurrent i barabartë me qumështin e importit”, ka precizuar Imeri.

Edhe në Odën Ekonomike të Kosovës, zyrtarë të saj kanë pohuar se ka rënie të importit të qumështit dhe në anën tjetër ka rritje të prodhimit vendor të qumështit. “Në vitin 2005 ka pasur prodhim vendor të qumështit prej mbi 57.5 milionë litra, kurse ka pasur import të qumështit prej 21.5 milionë litra. Vetëm qumësht pluhur për një muaj janë 170 tonë. Për kokë banori, në vitin 2005, ka pasur rreth 100 litra qumësht”, tha Parim Bajrami, zyrtar i OEK-ut.

Sipas Shoqatës së prodhuesve të qumështit KAMP ekzistojnë 500 fermerë komercial me nga 5 deri në 13 lopë qumështore, me gjithsejtë 5700 krerë. Bajrami thotë se tash ka një prodhim vendor prej 25.650.000 litra qumësht në vjet, ndërkaq kapacitetet ditore të industrisë përpunuese janë 500.000 litra qumësht, kurse shfrytëzimi i tyre është vetëm 50 %, apo 250.000 litra qumësht në ditë.
“Furnizimi i tregut apo konsumi në disa vende të regjionit është kështu: Shqipëria konsumon qumësht nga prodhimi vendor 97.6 % apo prodhon 1.059.000 tonë qumësht, kurse importon 2.4 % apo vetëm 25 tonë në vit. Konsumi i përgjithshëm është 1.084.000 litra qumësht në vit, apo 342.3 litra për kokë banori. Gjithashtu, edhe Shqipëria nuk eksporton asnjë litër qumësht jashtë vendit,” ka theksuar ai.
Konsumi i përgjithshëm vjetor i qumështit nga banorët e Kosovës është 339.600 tonë, ose 170 litra për kokë banori. Në Kosovë brenda vitit, sipas Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK-KAMP) dhe Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës (SHQK-KDPA), prodhohen 257.000 tonë qumësht, kurse importohen 82.000 tonë qumësht nga vende të ndryshme, si Sllovenia, Hungaria, Bullgaria, Polonia, Gjermania, Danimarka, Sllovakia, Çekia, etj.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës në dhjetor 2005 dhe të publikuara në seminarin “Prodhimtaria e qumështit në Kosovë” në prill 2006, Maqedonia konsumon gjithsej 273.000 tonë qumësht në vit, apo 133 litra për kokë banori. Prej tërë sasisë së konsumit, prodhimi vendor arrin deri në 240.000 tonë, ose 88 %, kurse importon 36.000 tonë në vit ose 13 %. Maqedonia për dallim nga Kosova dhe Shqipëria, eksporton brenda vitit 4000 tonë qumësht ose 1.4 %.
Bosnja dhe Hercegovina ka konsum të qumështit prej 574.000 tonë në vit, apo 138 litra për kokë banori. Prodhimi vendor vjetor i qumështit në këtë vend është 467.000 tonë ose 81 %, kurse ka import prej 111.000 tonë qumësht në vit ose 19 %. Serbia ndërkaq prodhon brenda vitit 2.145.000 tonë qumësht, mirëpo nuk importon e as nuk eksporton asnjë litër qumësht.

Kroacia konsumon në vit 815.000 tonë qumësht, ose 184 litra për kokë banori. Prodhimi vendor i qumështit arrin deri në 670.000 tonë qumësht, ose 76 %, kurse importon 195.000 tonë qumësht ose 24 %. Kroacia eksporton qumësht në vit 50.000 tonë ose 6 %.

Behlul Behluli, kryetar i SHPQK-së ka thënë se në Kosovë kemi mbi 500 ferma me nga 5 deri në 130 lopë qumështore, kurse kemi 7000 lopë qumështore për qëllime komerciale. “Në Kosovë ekzistojnë 26 qumështore, prej tyre 15 janë të licencuara nga AVUK, kurse 11 të palicencuara. Po ashtu ekzistojnë edhe 30 qendra të grumbullimit të qumështit.”tha ai.

Agim Zajmi nga Ministria e Bujqësisë thotë se qëllimi i ministrisë dhe shoqatave të sektorit të qumështit KAMP dhe KDPA është që të sigurojë qumësht kualitativ për konsumatorët, duke përmirësuar konkurrencën ndërmjet prodhuesve të qumështit dhe duke implementuar standardet e kualitetit të qumështit, për të mbrojtur konsumatorin kosovar.

“Tash kemi një industri të qumështit, që synon të zhvillohet edhe më shumë, duke u rritur numri i prodhuesve qumështor dhe i qumështoreve përpunuese, dhe duke u shtuar kontrolli dhe vetëkontrolli, dhe gjithnjë duke u rritur edhe cilësia e qumështit,” ka thënë dr. Zajmi.

Ndërkaq, Bajram Imeri nga Ministria e Bujqësisë, thotë se në Kosovë ka 140.000 krerë lopë, kurse prodhimtaria mesatare për një lopë është 6 litra qumësht në ditë. “Prodhimtaria e qumështit në vit është 257 milionë litra, kurse sipas të dhënave ekzistojnë 83.289 ferma blegtorale. Prej tyre 78.124 krerë janë në ekonomitë familjare me nga 2-4 krerë. Ferma të mesme janë 4.378 me nga 5-9 krerë, kurse ferma komerciale janë 787 me mbi 10 krerë, ka theksuar,”tha ai.

Kosova edhe pse ka kushte dhe potencial për prodhimin e qumështit, ka një sasi të konsiderueshme prej 257 milionë litra në vit, megjithatë ka edhe një import mjaft të lartë prej 82 milionë litra në vit. Qumështi importohet sepse ka çmim të lirë, por kur del në treg, konsumatori e bart barrën e çmimit, ngase ai e blen shumë më shtrenjtë.

Ligji mbi ushqimin, i cili tash është i miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe i nënshkruar nga PSSP-ja, qëllim themelor ka dhe obligon për sigurinë e ushqimit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Andaj, kërkohet cilësia e ushqimit, e sidomos e qumështit, qoftë të prodhimit vendorë apo të importuar.

ECIKS / Kosovapress