Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në takimin e 9-të të Këshillit Ministror të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), i cili po mbahet në Kishinjev të Moldavisë, ka potencuar se Republika e Kosovës ka realizuar progres të jashtëzakonshëm në implementimin e obligimeve të cilat dalin nga TKE dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri Beqaj theksoi se Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në fushën e reformimit të sektorit të energjisë. Në këtë drejtim ai i ka informuar pjesëmarrësit se Kuvendi i Kosovës i ka miratuar ligjet bazë në fushën e energjisë siç janë Ligji për Energjinë, Ligji për Energjinë Elektrike, Ligji për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe Ligji për Efiçiencën e Energjisë, dhe aktet e tjera nënligjore të cilat janë në proces të implementimit.
Ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është përkushtuar që të zhvillojë kapacitete të reja në sferën e gjenerimit të energjisë, e cila është parakusht esencial për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, projektet si ndërtimi i termocentralit Kosova e Re dhe privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të energjisë kanë rol të rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit privat në vend dhe në ngritjen e qëndrueshmërinë së sektorit energjetik në vend.
Ministri Beqaj tha që Kosova është e përkushtuar drejt integrimit të plotë në tregun rajonal të energjisë, përmes së cilit do të eliminohen barrierat aktuale në bashkëpunimin energjetik, do të ngritët niveli i bashkëpunimit dhe koordinimit në të ardhmen në mes të shteteve nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Një nga rezultatet shumë të rëndësishme të këtij takimi ishte vendimi për implementimin e plotë të paketës së tretë të Unionit Evropian deri në vitin 2015, gjë qe nënkupton harmonizim të plotë të sistemit energjetik të Kosovës me atë të shteteve anëtare të BE-së.
/Telegrafi/