Kosova promovon investimet në Zvicër

Konferencën për mundësitë e investimeve në Kosovë, e cila u mbajt në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës me 26 nentor 2009 në Bern, e hapi me një fjalë përshëndetëse ambasadori ynë në Zvicër, Naim Malaj. Me prani të një numri të madh të interesuarish, kryesisht biznismenë shqiptarë e zviceranë, me një rend trajtimi të përpiktë e përmbajtësor, para tyre me një fjalë paraqitëse mbi gjendjen e përgjithshme ekonomike në Kosovë dhe për përkushtimin e qeverisë në tërheqjen e investimeve të huaja e bëri në gjuhën angleze ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku. Në këtë mes u theksua fakti se vjetëve të fundit, veçanërisht nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka shënuar një përparim të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik dhe social.

Ndonëse pikërisht në këtë kohë merr hov kriza ekonomike financiare botërore, Kosova është njëri ndër shtetet e paktë europianë që vazhdon të ketë rritje pozitive ekonomike. Ai tha se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se rritja ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti do të jetë afër 4 për qind. Në anën tjetër, theksoi Zharku, me euron si valutë zyrtare dhe me një inflacion prej rreth 2 për qind, Kosova ka një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik. Sistemi financiar dhe bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të këtij shteti.

Një tablo të gjerë e të hollësishme për klimën e biznesit dhe mundësitë e investimeve në Kosovë e paraqiti me profesionalizëm të lartë Kujtim Dobruna, udhëheqës i zyrës së Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve (APIK) në Vjenë. Ai para të pranishëmve elaboroi hollësi nga kjo sferë e rëndësishme e perspektivës së zhvillimit thelbësor të Kosovës, duke i paraqitur të gjithë përbërësit e saj në mënyrë funksionale e të ndërthurur me njëri tjetrin. Shtrimi i një vargu kaq të ngjeshur mundësish për të gjitha llojet e investimeve në shtetin e ri të Kosovës, prej atyre kapitale deri te ato miniaturale, u bë me një elokuencë e maturi çfarë kërkon logjika e biznesit modern. Dobruna gjithë paraqitjen e vet e bëri me anë të projektimit të një vargu të pakëputur skemash ekzakte nga më të ndryshmet, duke i shpjeguar e interpretuar ato me zhdërvjelltësi.

Duke u ndalur te thelbi i çështjes, se cilat janë ato përparësi të investimit në Kosovë, Dobruna theksoi: atje ka një klimë shumë të përshtatshme për afarizëm dhe investime të huaja; tatimet janë të ulëta, ndërsa sistemi tatimor është shumë i thjeshtë; përmes reformës fiskale tatimi i korporatave është përgjysmuar në 10 për qind, ndërsa tatimi në të ardhura personale është progresiv dhe jo më i lartë se 10 për qind; Kosova ka njërin ndër regjimet më liberale tregtare të Europës, sikundër që është fakti se taksa doganore prej 10 për qind është ndër më të ulëtat në Europë, përderisa taksa për eksporte është zero. Ai poashtu theksoi se Kosova ka një legjislacion modern, të përafruar me atë të Bashkimit Evropian, prandaj bashkë me mundësitë e mëdha për investime, vendi po bëhet gjithnjë e më atraktiv edhe për investitorët e huaj. Pas paraqitjes së të gjitha përparësive e mundësive për investime në Kosovë, pati edhe pyetje konkrete për gjendjen e tashme të këtyre investimeve, madje u cekën edhe vështirësi të caktuara konkrete që janë një pengesë jo e vogël. Në këtë mes u zu ngoje sidomos transporti i vështirë i mallit, pastaj vështirësitë që dalin nga ndërprerja e shpeshtë e rrymës, por edhe çështje të tjera ende jo krejtësisht të qartësuara, siç është dogana, sigurimet etj.

Nisma që u bë në Ambasadën e Kosovës në Bern është një dëftues i nevojës për ta vazhduar një praktikë të tillë me forma vazhdimisht të përtëritura e të përshtatura edhe në vendet e tjera ku tashmë funksionojnë ambasadat e Kosovës. Marrja tepër gjatë me përmbushje standardesh ndër më të ndryshmet, të cilat jo rrallë janë bërë edhe në dëm të ecjes përpara të vendit tonë, pra si përmbushje kërkesash të të tjerëve, tash duhet të kthehet kryekëput te përmbushja e çdo standardi për nevojat dhe dobitë që kanë prej tyre vetë Kosova dhe populli i saj. Ngecja e mëtejshme ndër pengesat që shtrohen si sprova lojaliteti, Kosovës do t`i bëhet një barrë që vështirë do ta mbajë më tej. Pra, është koha e fundit që Kosova të çlirohet nga balasti i deritashëm dhe të ecë plotësisht e lirë në udhën e zhvillimit dhe të prosperitetit të vet të gjithanshëm. Këtë gjë ajo mund ta bëjë në bashkëpunim të ngushtë me vendet e zhvilluara e të përparuara, por duke kërkuar e projektuar gjithnjë nevojat dhe interesat e veta të drejtpërdrejta.

Marrur nga gazeta “Bota Sot”