Kosova promovon investimet ne Forumin e Alpbach

Alpbach, 30 gusht 2007 – Në organizim të Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), e cila përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve (IPAK) në rajonin gjermanofolës, të mërkurën në mbrëmje në kuadër të Forumit Evropian të Alpbach-ut eshte diskutuar edhe për mundësitë për investime në Kosovë dhe për sigurinë ligjore për investitorët e huaj.

Në këtë mbrëmje, përveç kryetarit të Forumit Evropian të Alpbachut, Erhard Busek, morrën pjesë edhe Ministri Kosovar i Drejtësise, Jonuz Salihaj dhe udhëheqësi i Zyrës së Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjenë, Kujtim Dobruna.

Në fjalën e tij hyrëse, Erhard Busek ka shprehur kënaqësinë që Kosova përfaqësohet dhe promovon investimet në një forum me renome si ai i Alpbach-ut. Investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, Busek e ka lidhur me statusin politik të vendit. Kosova është çështje Evropiane dhe Bashkimi Evropian duhet ti merr përgjegjësitë e veta rreth statusit, ka konkluduar Busek.

Ministri Kosovar i Drejtësisë, Jonuz Salihaj i ka siguruar të pranishmit që qeveria e Kosovës ka ndërmarrur dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat për të garantuar sigurinë ligjore për investitorët e huaj në Kosovë. Ai ka shtuar se Kosova është e sigurt për investime dhe disa kompani austriake tashmë kanë investuar dhe kanë gjeneruar profit në Kosovë.

Kujtim Dobruna, udhëheqës i zyres së IPAK / ECIKS në Vjenë, ka prezantuar mundësitë për investime në Kosovë, përparësitë që Kosova u ofron investitorëve të huaj si dhe shërbimet që zyra në Vjenë i ofron për ta. Ai ka ftuar investitorët nga rajoni gjermanofolës të kontaktojnë zyrën në Vjenë dhe t’i shfrytëzojnë shërbimet pa pagesë që kjo zyre i ofron.

Zyra e Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjenë është themeluar dhe udhëhiqet nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

———————————-
Komunikate per shtyp e ECIKS / 30.08.2007