Kosova pret ti vazhdohen preferencat tregtare me BE-në

Afati i preferencave tregtare, të vendosura nga Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën, ka skaduar më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje presin që këto masa të vazhdojnë deri në vitin 2015. Këto preferenca i mundësojnë eksportet e prodhimeve të rajonit në tregjet e Unionit Evropian pa tarifa doganore apo kufizime të sasisë, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Kosova, deri në fund të vitit 2010, ka pasur preferencat autonome tregtare, të cilat i ka vendosur Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe një rekomandim që këto preferenca të vazhdojnë edhe në pesë vjetët e ardhshëm, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje.

Këshilltarët në Ministrinë e Integrimeve thonë për masat autonome tregtare edhe për pesë vjetët vijues do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 18 janar.

KOHA