Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, me seli në Vjenë, vazhdon të zvarritë marrjen e vendimit për zgjidhjen e kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë për linjat e Transmisionit. Mosmarrja e një vendimi Kosovës po i kushton me humbje prej rreth 15 milionë eurosh në vit pasi Serbia që nga viti 2006 prezantohet si pronare e aseteve transmetuese të Kosovës.
Kosova ka zgjedhur rrugën ligjore që parashihet më Traktat të energjisë, pasi siguria e sistemit energjetik është një nga kërkesat kryesore që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Por, Sekretariati, vetëm më 17 shtator të vitit 2010 ka hapur procedurën e kontestit me Serbinë për shkelje të dispozitave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për EJL, anëtare e së cilës është edhe Kosova. Konstatimi preliminar i Sekretariatit është që Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS) ka shkelur Traktatin e Energjisë, pasi ka dështuar të përmbushë obligimet që dalin nga ky Traktat.
Duke shpjeguar procedurat që ndiqen për rastin, këshilltari ligjor i SKE-së ka thënë se Sekretariati nuk mund të marrë vendimet, por vetëm t’ia rekomandojë rastin Këshillit të Ministrave për vendim pas kompletimit të procedurës fillestare. Paraqitja e rastit në Këshillin e Ministrave për vendimin, sipas tij, është vetëm hapi i fundit në një procedurë e cila formalisht është iniciuar nga ‘Letra e hapjes”.
Kosova përfaqësohet nga Ministria e Energjisë dhe e Minierave e cila ka e nënshkruar Traktatin për themelimin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore.
Qytetarët dhe bizneset kosovare ende përballen me ndërprerje në furnizimin e energjisë elektrike gjë që e pengon mbarëvajtjen normale të punës. Qeveria e Kosovës ju ka kundërpërgjigjur këtij problemi duke e iniciuar projektin për ndërtimin e termocentralit Kosova C. Qeveria gjithashtu e ka iniciuar procesin për privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike i cili ka hyrë në fazën e para-kualifikimit.
Koha Ditore