Kosova nuk i dëshiron 30 milionë € të Serbisë

Për ministrin Haki Shatri, investimi i Qeverisë serbe si subjekt në Kosovë, është një punë që s’e rrok kurrqysh. Sipas tij, Qeveria serbe nuk e ka kontaktuar asnjë zyrtar të Kosovës, me përjashtim të ndonjë serbi në veri të Mitrovicës. Edhe për ministrin Slavisha Petkoviq, investimet që nuk e përfillin Qeverinë e Kosovës janë të papranueshme

Prishtinë, 9 tetor 2006 – Investimet prej rreth 30 milionë euro që janë paralajmëruar nga Qeveria serbe për Kosovën, nuk janë mirëpritur nga zyrtarët vendës. Haki Shatri, ministër i Ekonomisë dhe i Financave (MEF), ka deklaruar se modeli se si janë proklamuar investimet nga serbët është i papranueshëm. ”Qeveria serbe si subjekt të investojë në Kosovë, është një punë që s’e rrok kurrqysh dhe kjo nuk do të ndodhë”, tha ministri Haki Shatri për “Lajmin”. Ai ka mohuar që Qeveria e Kosovës është kontaktuar nga organet serbe për këtë iniciativë. “Ndoshta kanë kontaktuar me ndonjërin prej atyre që i kanë në veri të Mitrovicës, por me ne jo”.

Ndërkohë ministri Shatri thotë se qeveria e vendit është e hapur që t’u ofrojë kushte të gjithë investitorëve seriozë, përfshirë këtu edhe nëse ata janë serbë. “Parimisht ne nuk jemi kundër investimeve edhe nëse janë nga Serbia, por e papranueshme për ne është që implementuese të jetë Qeveria e Serbisë” .

Edhe përfaqësuesi i komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq, pothuajse e ka të njëjtin mendim si kolegu shqiptar. Sipas tij, çdo investim duhet t’i zbatojë procedurat që aplikohen në Kosovë. “Çdo investim që bëhet në Kosovë, veçanërisht ato që vijnë nga Serbia, duhet të shkojnë vetëm nëpërmjet Qeverisë së Kosovës dhe në asnjë mënyrë tjetër”, ka thënë për “Lajmin” ministri Petkoviq. Sipas tij, edhe për investimet e paralajmëruara duhet të vlejë e njëjta gjë, respektivisht të zbatohen ligjet që aplikohen në Kosovë.

Ndërkohë, Zoran Mihajloviq, zyrtar i Ekipit ekonomik të Serbisë për Kosovën, pa komentuar shumë, ka thënë se gjërat parashihet të implementohen ashtu siç janë publikuar. Në anën tjetër, sipas deklaratës zyrtare, e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit ekonomik të Serbisë për Kosovën, e nënshkruar nga Nenad Popoviq, thuhet se Beogradi ka marrë sinjale pozitive nga qeveria dhe shqiptarët e Kosovës se do t’i pranojnë investimet e tyre. “Investimet e Republikës së Serbisë në ‘krahinë’ janë në dobi të zhvillimit ekonomik dhe askush nuk ka asgjë kundër “. Popoviqi ka deklaruar se kjo iniciativë është në kuadër të Planit Kombëtar Investiv, sipas të cilit në mjediset serbe në Kosovë, gjatë viteve 2006 e 2007, do të investohen 32.6 milionë euro. Sipas tij, investimet do të përqendrohen në zhvillimin ekonomik, infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe në standardin e qytetarëve, që sipas tyre është shumë i ulët. Por, edhe në këtë kontekst, ministri Shatri ka thënë se këtë gjë e ka parasysh vetë Qeveria e Kosovës dhe asnjë ndërhyrje politike nga jashtë e kamufluar me politikë nuk do të jetë e pranueshme dhe nuk do të tolerohet nga Qeveria e Kosovës.

Lajm