Kosova mundëson koncesionet deri në 40 vjet

Prishtinë, 25 qershor, 2009 – Legjislativi i shtetit të enjten e ka lëshuar dritën e gjelbër për dhënien e projekteve kapitale me koncesion në një kohëzgjatje deri në 40 vjet. Ky afat ishte kundërshtuar nga shumë deputetë gjatë shqyrtimit të parë të Ligjit për partneritet publiko-privat. Nuk kanë qenë të paktë ata deputetët që kanë propozuar që dhënia e koncesioneve të mos ishte më e gjatë se 25 vjet. Fillimisht Qeveria kishte propozuar që koncesionet të jepeshin për 90 vjet. Një ndryshim gjatë amendamentimit të Ligjit për partneritet publiko-privat është bërë në pjesën që lidhet me komunat.

Derisa në versionin e parë komunat e kanë pasur të drejtën për të dhënë projekte me koncesion, kjo e drejtë tani u është privuar.

Me amendamentin e ri parashihet që komunat mund të propozojnë projektet për dhënie me koncesion, por është Qeveria ajo që duhet ta japë fjalën përfundimtare. Veç kësaj, nga dhënia me koncesion janë përjashtuar minierat. Gjatë seancës së të enjtes deputetët kanë miratuar edhe Ligjin për tregtinë me naftë dhe derivate të saj, Ligjin për lizingun financiar, si dhe Ligjin për themelimin e departamentit për mjekësi ligjore.

Ndërkohë në parim e kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pyje. Në procedurën e shqyrtimit ka kaluar edhe Ligji për të drejtat sendore, ligj ky që në të kaluarën nuk ishte nënshkruar nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara.

Me shumicë votash deputetët kanë miratuar edhe dy raporte për vitin 2008: atë të Komisionit për Ndihmë Juridike, si dhe të Komisionit të Pavarur për Media. Raporti i Komisionit për Ndihmë Juridike ka qenë i pari i këtij lloj që i është servuar Kuvendit, për faktin se ky komision është ngritur tek në shtator të vitit 2007, me anë të një rregulloreje të UNMIK-ut.

Koha Ditore