Kosova me kod të vetin telefonik

Burime pranë UNMIK deklaruan se +889 apo +909 do të jetë kodi i ri Kosovës, i miratuar nga ITU, e cila ka marrë vendim pro ndarjes së kodit. Edhe shefi i shtyllës së katërt, Ruecker ka konfirmuar marrjen e shpejtë të kodit dhe shpalljen e tenderit për telefonin e dytë mobile

Prishtinë, 9 gusht 2005 – Unioni Botëror i Telekomunikacioneve (ITU) ka ndarë kodin e telefonisë për Kosovën, ndërsa së bashku me zbatimin e këtij kodi të ri që do t’i kursejë Kosovës miliona euro, pritet të shpallet edhe tenderi i dytë i telefonisë mobile. Burime pranë UNMIK-ut kanë sqaruar se Unioni Botëror i Telekomunikacionit javën që shkoi ka marrë vendim pro ndarjes së kodit të telefonisë, me gjithë reagimin e Beogradit. “Vendimi është dhe pritet që të bëhet shpallja publike e këtij vendimi”, kanë sqaruar burime në UNMIK.

Sipas tyre kodi i Kosovës do të jetë ose +889 ose 909, por ende nuk është përcaktuar saktë. Lajmin se ITU,tanimë ka marrë vendimin për ndarjen e një kodi për Kosovën, e konfirmon edhe shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Ruecker. Kosova humb në vit mbi 50 milionë euro nga mospasja e një kodi të telefonisë. Kërkesa nga ITU, për një kod telefonik është bërë kohë më parë por reagimet serbe nuk kanë lejuar vendimin pro ndarjes së kodit.

“Kodi i përcaktuar nga ITU është një kod komercial, si ai i kompanive të mëdha”, tha Bedri Rama, ish drejtori i Telekomit të Kosovës. Së bashku me kodin e ri të telefonisë mobile, shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut ka paralajmëruar edhe shpalljen e tenderit për telefonin e dytë mobile.

Tenderi i dytë i telefonisë mobile qe shpallur dhe përfunduar gjatë 2004-ës, por fituesi Mobikos-Mobitel u kontestua nga një pjesë e qeverisë së Kosovës, zyra amerikane, ajo britanike dhe konkurrentët e tjerë në tender, me pretendimin se ka pasur parregullsi gjatë procedurës dhe vlerësimit. Procesi i tenderit u anulua më vonë nga PSSP. Fituesit, konsorciumi Mobikos-Mobitel vazhdon të pretendojë se tenderi ka qenë i rregullt dhe se ata janë fituesit. Ky konsorcium ka ngritur padi në gjykatën e Prishtinës. Konsorciumi Mobitel Mobikos ka derdhur gjithashtu në bankë paratë e licencës më një vlerë prej 6,5 milionë euro, të cilat nuk po shfrytëzohen nga qeveria e Kosovës, por që janë llogaritur për t’u shfrytëzuar me buxhetin e vitet 2005, si ndarje buxhetore.

ECIKS / Biznesi