Kosova do t'i promovojë investimet në Vjenë

Forumi Ekonomik i Vjenës ka aprovuar kërkesën dhe insistimin e ECIKS-së që në takimin e ardhshëm në nëntor 2006 në Vjenë, të ftohet edhe Kosova

Prishtinë, 20 shtator 2006 – Forumi Ekonomik i Vjenës (VEF) ka aprovuar kërkesën e Nismës Kosovare për Kosovën (ECIKS) që Kosova të përfaqësohet në këtë forum, i cili mbahet më 6-7 nëntor në Vjenë.

Gjatë dy ditëve sa zgjat forumi, do të bisedohet në katër panele për investimet e huaja në rajon, për energjetikën, bankat dhe sigurimet dhe telekomunikacionin. Do të marrin pjese eksperte te ekonomisë, energjetikës, telekomunikacionit etj. Po ashtu përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, qeverive dhe ndërmarrjeve të ndryshme evropiane. “Anëtarë të këtij forumi janë 12 shtete nga rajoni i Evropës Juglindore dhe Qendrore: Austria, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia”, ka bërë të ditur Kujtim Dobruna, kryetar i ECIKS. Gjithashtu, anëtarë të forumit janë edhe më shumë se 100 kompani të fuqishme nga vendet e ndryshme të interesuara për investime dhe bashkëpunim në rajon.

Ky forum mbahet dy herë në vit, takim i parë vjetor organizohet në Vjenë, ndërsa i dyti në njërin nga shtetet anëtare.

Qellim kryesor është identifikimi i nevojave për investime të huaja në shtetet anëtare dhe stimulimi i këtyre investimeve. Për shkak të rëndësisë së madhe të forumit dhe prezencës së kompanive të fuqishme dhe seriozisht të interesuara për investime në rajonin e Ballkanit, shtetet anëtare përfaqësohen në forum në nivel ministrash apo kryeministrash, përfshirë edhe kompanitë e interesuara nga secili shtet.

Deri më tani Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar në këtë forum. Kohë më parë, Nisma Ekonomike për Kosovën – ECIKS, në kuadër të aktiviteteve për promovimin e ekonomisë kosovare jashtë vendit dhe stimulimit të investimeve të huaja ka krijuar raporte partneriteti me VEF. Ky forum ka aprovuar kërkesën dhe insistimin e ECIKS që në takimin e ardhshëm në nëntor 2006 në Vjenë, më në fund të ftohet edhe Kosova. ECIKS-ja ka marrë përsipër të bëjë koordinimin me Qeverinë e Kosovës për të definuar se kush nga Qeveria do ta përfaqësojë vendin në forum. Përpos kësaj, ECIKS në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Promovim të Investimeve do të identifikojë kompanitë kosovare të interesuara dhe që i plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në forum.

Forumi i nëntorit në Vjenë është një rast i ri për të përfaqësuar Kosovën dhe mundësitë e saj në tërheqjen e investimeve të huaja. Po ashtu, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës do të mund të krahasojnë ofertat e vendeve të tjera të rajonit për promovimin e investimeve. Për kompanitë kosovare që do të marrin pjesë në forum, është një rast i jashtëzakonshëm për të krijuar kontakte të reja, për tu kyçur në rrjedhat ekonomike në rajon dhe për të përfituar nga to.

Pjesëmarrja e Kosovës në forum është shumë e rëndësishme edhe për
faktin se i paraprinë fillimit të projektit për promovimin e investimeve në Kosovë nga regjioni gjermanofolës, projekt ky që pritet të fillojë në nëntor në Vjenë dhe të implementohet nga ECIKS në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe me financim nga Qeveria e Austrisë.

Duke u koordinuar me Qeverinë e Kosovës dhe kompanitë kosovare, ECIKS synon t’u ofrojë atyre kontakte direkte me ndërmarrje serioze nga Evropa dhe bota, po ashtu qasje në panelet e forumit. Gjatë këtij forumi kompanitë kosovare do të jenë në gjendje të identifikojnë partnerë të mjaftueshëm potencial për investime dhe bashkëpunim.

Marrë nga Koha Ditore