Kosova 1,23 miliard euro në minus !

Kosova gjatë vitit 2006 ka importuar mallra me vlerë prej 1.3 miliard eurosh dhe ka eksportuar mallra prej vetëm 79 milionë eurosh. Importi mbulohet nga eksporti me vetëm 6 për qind. Më së shumti kemi blerë nga Maqedonia dhe Serbia. Ndërkohë, importet nga Shqipëria mbesin mjaft të ulëta.

Prishtinë, 6 mars 2007 — Bilanci tregtar i Kosovës mbetet katastrofal. Ekonomia kosovare vazhdon të blejë nga jashtë dhe të mos shesë thuajse asgjë. Në vitin 2006, sipas Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), vendi ynë ka importuar mallra me vlerë prej 1. 3 miliard eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 79 milionë euro mallra. Kjo bën që importi të mbulohet me vetëm 6 për qind nga eksporti, duke paraqitur një minus prej 94 për qind, apo 1,23 miliard eurosh.

Mungesa e infrastrukturës rrugore ka bërë që përkundër ekzistimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (MTL), bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të jetë në nivel të vogël. Biznesmenë dhe analistë ekonomikë, theksojnë se bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivelin e bashkëpunimit në krahasim me vendet e rajonit. Një bashkëpunim të ulët me Shqipërinë e dëshmojnë edhe statistikat e nxjerra nga Enti i Statistikave të Kosovës, sipas të cilave, në 2006 përqindja më e madhe e eksportit ishte me Serbinë, 21.6 për qind, Shqipëri 18.0 për qind, Maqedoni 14.2 për qind, Itali 9.3, Slloveni 6.0.

Ndërsa, sipas të dhënave të Entit, përqindja më e madhe e importit është nga Maqedonia 21 për qind, nga Serbia 15.5, nga Gjermania 9.1, nga Turqia 6.9, nga Kina 5.4, ndërsa me Shqipërinë importi ka qenë 2.3 për qind, që në krahasim me vendet e tjera, është mjaft i ulët.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë në krahasim me vendet e rajonit, është më i vogli, mirëpo ai këtë e arsyeton me faktin se infrastruktura rrugore që lidh këto dy vende është në gjendje jo të mirë, gjë që e bën të pamundur shfrytëzimin e portit të Durrësit, dhe tregtarët kosovarë po e shfrytëzojnë portin e Selanikut dhe të Malit të Zi, zgjidhje pragmatike, e cila ul koston e transportit.

“Ndërtimi i rrugës Durrës – Prishtinë do të jetë një rast i mirë për ngritjen e bashkëpunimit ekonomikë mes këtyre dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, ku do të ketë një kosto më të lirë të transportit, dhe kjo do të rrisë zhvillimin ekonomik të të dy vendeve”, tha Shahini.

Megjithëkëtë, ai ka deklaruar se edhe prodhuesit kosovarë, por edhe ata të Shqipërisë kanë produktet e tyre në të dy tregjet dhe çdo ditë e më tepër po rritet bashkëpunimi ekonomik.

“Ne si Aleancë e Biznesit shpresojmë që në të ardhmen të kemi një rritje të bashkëpunimit me Shqipërinë, pasi importi i mallrave nga Serbia është rreth 15 për qind, i ngjashëm është edhe me Maqedoninë, diç më i vogël me Malin e Zi, ndërsa me Shqipërinë rreth një për qind, dhe kjo nënkupton se nuk kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë”, thotë Shahini.

Por, me gjithë këto të dhëna, sipas tij, nuk do të thotë se nuk ka fare shkëmbim tregtar me Shqipërinë, pasi që me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, në tregun shqiptar tani mund të gjinden shumë produkte kosovare, të cilat tani janë konkurruese dhe janë mjaft të kërkuara.

Sipas tij, në tregun shqiptar tashmë kanë depërtuar kryesisht produkte ushqimore kosovare dhe ato janë pritur jashtëzakonisht mirë në ato tregje, duke u dhënë një hapësirë më të madhe fushëveprimit të prodhuesve kosovarë.

Në anën tjetër, sipas Shahinit, prodhimet industriale, si çimentoja dhe hekuri nga Shqipëria, kanë gjetur treg të mirë në Kosovë.

Në total të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë për një rritje të vazhdueshme të deficitit tregtar sa i përket shkëmbimit të mallrave.

Në janarin e vitit 2006 deficiti tregtar ka qenë – 55.928.000 ai në muajin dhjetor ka arritur në – 127.452.000. Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se në janarin e vitit 2006 Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 2.761.000 euro ndërsa ka importuar mallra në vlerë 58.689.000 euro.

Ndërsa këto shifra kanë ndryshuar rrënjësisht në fund të vitit. Sipas të dhënave të ESK-së, në dhjetor 2006 Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 3.207.000 euro, ndërsa ka importuar mallra në vlerë 130.659.000 euro.

ECIKS / Gazeta Express