Kontratat kolektive do të nënshkruhen me 16 korrik

Prishtinë, 30 qershor 2004 – Anëtarët e Këshillit Konsultativ Trepalësh kanë vendosur që marrëveshja kolektive e punëtorëve të nënshkruhet me 16 korrik të këtij viti. Pritet që të harmonizohen qëndrimet përfundimtare të Odës Ekonomike dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në mënyrë që qeverisë t’i prezantohet si draft përfundimtar deri në fund të kësaj jave.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi, tha se ky draft përfundimtar i marrëveshjes kolektive do të vëhet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të qeverisë. Në mënyrë që qeveria të ketë qasje si partner i cili është në mes të Odës Ekonomike dhe BSPK-së e që nuk do të ndërhyjë në punët e tyre, por do t’i ndihmojë në këtë proces për zbatimin e kontratës kolektive”. Palët përbërëse të Këshillit janë pajtuar tërësisht sa i përket ligjit të pensionimit të parakohshëm dhe atij të punës, që pritet të shqyrtohen nga qeveria gjatë muajit korrik. Mirëpo, përsa i takon projektligjit të punës, para se t’i paraqitet në parlament për miratim, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pret edhe rekomandimet e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, tha kryetari i BSPK-së, Bahri Shabani. “Mendoj që ishte një mbledhje mjaft konstruktive, dhe po shpresoj se të gjitha konkluzionet e nxjerra nga ky takim, të cilat do të jenë rekomandime për qeverinë e Kosovës, do të aprovohen në afatet e parapara”.

Se a do të arrijë që pakti social i përbërë nga përfaqësuesi i qeverisë, dhe përfaqësuesit e punëdhënësve dhe të punëtorëve, të mundësojë një qetësi sociale në vend, ministri Isufi, u shpreh mjaft skeptik: “Ne po punojmë që në mënyrë të drejtpërdrejt të mund të arrijmë te një pakt social që do të mundësonte një qetësi sociale në Kosovë duke pasur parasysh të gjitha rrethanat ekzistuese. Nuk është kjo lehtë të bëhet për arsye të interesave të cilat ekzistojnë, për shkak të kushteve ekonomike sociale në Kosovës, por megjithatë konsideroj se një bashkëpunim shumë i mirë yni do të mund të sjellë deri te një rezultat i mirë”.

Megjithëse në këtë takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Konsultativ Trepalësh, u vendos që kontratat kolektive të punëtorëve të nënshkruhen me 16 korrik, me çka arrihet të realizohet një synim i kahmotshëm i punëtorëve, protesta e punëtorëve e organizuar nga BSPK-ja do të mbahet me 14 korrik, sepse punëtorët kanë edhe pakënaqësi të tjera.

ECIKS / RTKLive