Konfiskohen 350 mijë cigare pa pullë fiskale

Prishtinë, 12 korrik 2004 – Njësitet Antikontrabandë të Doganës së UNMIK-ut, të përkrahura nga pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), konfiskuan në Prishtinë, 350 mijë cigare pa pulla fiskale me vlerë 45 mijë euro, njoftuan zyrtarë të Shtyllës së IV-t të UNMIK-ut. “Ne do të vazhdojmë edhe më tej të ndjekim kontrabandistet e cigareve, të cilët ende i shkaktojnë humbje buxhetit të Kosovës me qindra mijëra euro në vit”, ka thënë John Robertson, drejtor për zbatimin e ligjit pranë Doganave të UNMIK-ut. Suksesi i këtij operacioni, sipas tij, demonstron efikasitetin se çfarë mund të arrihet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes të doganave dhe policisë, përkrahja e të cilëve, siç ka thënë Robertson, është jashtëzakonisht produktive.

Aksioni është zhvilluar të martën në orët e mbrëmjes, ku protagonistë ishin gjashtë njësi nga Antikontrabanda e Doganës së UNMIK-ut dhe dy njësi të SHPK-së. Në këtë aksion janë bastisur dy shtëpi në lagjen Tophane të kryeqytetit. Siç është thënë, doganat para bastisjes kanë kërkuar urdhrin për bastisje nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës, urdhër i cili është lëshuar. Në këtë aksion është zbuluar një sasi prej 350.000 cigareve pa pulla fiskale, që u përkasin llojeve të ndryshme të cigareve, të cilat ishin të vendosura në dy shtëpi dhe në një veturë private. Sipas UNMIK-ut, një person është marrë në pyetje lidhur me këtë rast dhe më pas është liruar, ndërsa doganat e UNMIK-ut janë në pritje të marrjes në pyetje edhe të dy pronarëve të shtëpive.

ECIKS / Biznesi