Klubi i Guvernatorëve: zhvillime në sistemin bankar shqiptar

TIRANË, 15 TETOR 2003 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani mori pjesë në edicionin e 10-të të Klubit të Guvernatorëve që u zhvillua këto ditë në Sinaia të Rumanisë. Sipas burimeve te BSH, temat kryesore të takimit të rradhës të Klubit të Guvernatorëve ku bën pjesë edhe Shqipëria, ishin: zhvillimi i sistemit të pagesave dhe rëndësia e bankingut qëndror, ndërtimi i institucioneve për të rritur kapacitetin bankar, komunikimi me publikun, një instrument kryesor i bankierëve qëndrorë dhe zhvillimet në bankat qëndrore që nga takimi i vitit të kaluar.

Në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani paraqiti një panoramë të plotë të zhvillimeve të sistemit bankar shqiptar gjatë vitit të fundit. Sipas Guvernatorit, sistemi bankar shqiptar përbëhet nga 15 banka, nga të cilat një është në proces privatizimi, dy janë me kapital të përbashkët, 11 janë banka ose degë të bankave të huaja dhe një është bankë private me kapital shqiptar.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2003, asetet e sistemit bankar janë rritur me 7 miliardë lekë ose 2 për qind. Për sa i përket zhvillimeve monetare, Guvernatori u shpreh se gjatë 9 muajve të parë të vitit 2003 Indeksi i Çmimeve të Konsumit (Inflacioni) shënoi një normë vjetore 3.9 për qind, nivel brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe një inflacion vjetor 2-4 për qind.

Gjatë vitit 2003 Banka e Shqipërisë e ka ulur dy herë normën bazë të interesit me 0.5 pikë për qind dhe bankat e nivelit të dytë kanë reaguar në të njëjtin kah, duke ulur normën e interesit të bonove të thesarit dhe të depozitave. Monedha shqiptare, tha Cani, ka qenë relativisht e qëndrueshme në kursin e këmbimit me euron dhe dollarin dhe në muajin Shtator ishte e vlerësuar 2.8 për qind ndaj euros.

ECIKS / Balkanweb